![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Stanisic.Simatovic2.jpg)
Një ekspert ushtarak i prokurorisë tha në gjyqin e ish-krerëve të Sigurimit Serb të Shtetit Jovica Stanisiç dhe Frabko Simatoviç se njësitë e tyre ishin të përfshira në persekutimin dhe vrasjen e civilëve jo serbë gjatë luftës në Bosnjë.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Stanisic.Simatovic2-533x400.jpg)
Eksperti ushtarak Rejnaud Theunens tha në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të martën se njësitë e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb (SDB) u përfshinë në marrjen me forcë të bashkive dhe të qyteteve në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës.
Theunens konfirmoi akuzën në padinë kundër Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç se njësia Beretat e Kuqe e Sigurimit të Shtetit, bashkë me Gardën Vullnetare Serbe të drejtuar nga Zeljko “Arkani” Raznatoviç, dhe disa grupe të ndryshme luftëtarësh që ishin nën kontrollin e SDB-së, si për shembull Seseljevci (Burrat e Sheshelit, kreu i Partisë Radikale Serbe), luajtën një rol të rëndësishëm në marrjen në dorë të Bijeljinës, Zvornikut, Dobojit, Bosanski Samacit dhe Brckos në pranverën e vitit 1992.
Në bazë të dokumenteve që ai analizoi, Theunens arriti në përfundimin se anëtarët e këtyre njësive kryen krime kundër civilëve jo serbë me qëllim që t’i largonin ata në mënyrë të përhershme nga territoret të cilat liderët serbë të Bosnjës i kishin deklaruar si të tyre.
Si një shembull të krimeve të kryera nga Beretat e Kuqe, Theunens përmendi vrasjen e të paktën 16 boshnjakëve në fshatin Crkvine në fillim të majit 1992.
Jovica Stanisiç, ish kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, dhe ish ndihmësi i tij Franko Simatoviç akuzohen për pjesëmarrje në një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm me dhunë të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat më pas do të inkorporoheshin në një shtet të unifikuar serb.
Ata akuzohen si përgjegjës për persekutimin, vrasjet dhe dëbimin e civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
Prokurorët pretendojnë se sipërmarrja e përbashkët kriminale drejtohej nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviç.
Theunens tha se marrja me forcë e komunave në të cilat serbët nuk ishin shumicë përbënte arritjen e qëllimit më të rëndësishëm të qëllimeve të luftës që presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç shpalli në maj 1992 – ndarjen e serbëve nga boshnjakët dhe kroatët.
Dëshmitari ekspert tha se një hyrje në ditarin e luftës të komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç në lidhje me një takim të mbajtur në shkurt 1993 nënkupton se ai kishte rënë dakord me Simatoviçin për pjesëmarrjen e Beretave të Kuqe në operacionet e forcave serbe të Bosnjës në zonën e Podrinjes.
Në atë kohë, forcat e Beretave të Kuqe në zonat e Bratunacit dhe Skelanit refuzuan t’i bindeshin komandës së Ushtrisë Serbe të Bosnjës, duke pretenduar se ato ishin nën komandën ekskluzive të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, tregonte një raport i Ushtrisë Serbe të Bosnjës i cituar nga Theunens në sallën e gjyqit.
Duke cituar dokumente të tjera të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Theunens tha se në vitin 1994, Stanisic dhe Simatoviç drejtuan drejtpërdrejt një operacion kundër Ushtrisë Boshnjake në Cazinska Krajina. Operacioni, i njohur si Pauk (Merimanga), u zhvillua në bashkëpunim me Ushtrinë Serbe të Bosnjës, SDB-në e Serbisë dhe forcat e armatosura të Republikës së vetëshpallur të Krajinës Serbe.
Theunens përmendi një dokument të Ushtrisë Serbe të Bosnjës i cili citonte fjalët e Stanisiçit që “menaxhimi i operacioneve luftarake” ishte e vetmja gjë që i interesonte atij në fushë.
Sipas ditarit të kohës së luftës të Mlladiçit, për operacioni i Pauk u ra dakord në një takim të mbajtur në zyrën e presidentit Millosheviç në Beograd në dhjetor 1993.
Në ditar, Mlladiç përmendi premtimin e Stanisiçit se “100 deri në 120 nga njerëzit e tij” mund të niseshin për në fushën e betejës të nesërmen.
Sipas Theunens, kjo nënkuptonte se kreu i SDB-së serbe kishte një njësi “të stërvitur mirë” në një “gjendje të lartë të gatishmërie luftarake”.
Stanisiç dhe Simatoviç deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit 2015 pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.
Gjykata vendosi se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiç dhe Simatoviç u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.
Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.
Theunens do të vazhdojë të dëshmojë të mërkurën.