![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/ZGjedhje-itali1.jpg)
Afërsisht 5.5 milionë Italianë – 8% e popullsisë së vendit – aktualisht banon jashtë vendit, ku 1.5 milionë kanë ikur që nga viti 2007. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit ka gjasa që do të bindin edhe më shumë italianë mes më të mirëve dhe më të zgjuarve se ata bëjnë mirë të ikin.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/ZGjedhje-itali1-600x342.jpg)
Zgjedhjet e përgjithshme të Italisë që nuk prodhuan një fitore por që treguan një tendencë të qartë drejt populizmit, me gjasa do të sjellin një periudhë të gjatë bllokimi politik, duke ngrirë miratimin e disa reformave të domosdoshme strukturore. Por kriza dhe perceptimi i krijuar nga kjo krizë se vendi nuk ka vullnet për të ndryshuar, mund të ketë edhe një pasojë tjetër të hidhur. Ajo do të shtyjë akoma më shumë talente mes italianëve të ikin nga vendi, duke përkeqësuar një tendencë që sakaq ka goditur vendin prej më shumë se një dekadë.
Që nga viti 2007, gati 1.5 milionë italianë kanë ikur nga vendi, duke iu bashkuar katër milionë të tjerëve që kishin ikur më parë. Që ta vendosim këtë numër në perspektivë, afërsisht 8% e popullsisë së Italisë aktualisht jeton jashtë vendit. Por shifra e vërtetë mund të jetë më e lartë. Të larguarit nga Italia shpesh nuk e deklarojnë para autoriteteve kombëtare statusin e tyre të vërtetë rezidencial për të ruajtur aksesin e tyre te përfitimet shoqërore, të tilla si kujdesi shëndetësor.
Rreth një e treta e këtyre emigrantëve kanë diplomë universitare. Shumë janë profesionistë të mirëarsimuar që punojnë në financë, konsulencë, akademi, arkitekturë apo ligj. Dhe lajmet mbi sipërmarrësit italianë që themeluan kompani të suksesshme në Silikon Vallejt e botës janë të shumta.
Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë destinacionet kryesore. Londra thuhet se është qyteti i pestë më i madh i Italisë – pas Romës, Milanos, Napolit dhe Torinës – me rreth 250 mijë italianë. As Brexit nuk e ka penguar migrimin nga Italia, ndryshe nga tendencat e përgjithshme në Europën Perëndimore. Kjo është një simptomë e qartë e kushteve të pakënaqshme pas në shtëpi, ku një treg pune i ngurtë, financimi i pamjaftueshëm për kërkim akademik dhe biznese të reja novatore dhe një sistem shoqëror dhe ekonomik që favorizon të moshuarit parandalon individët nga shfrytëzimi i potencialit të tyre të plotë.
Por Italia nuk është duke humbur vetëm punëtorët e aftë, ambiciozë dhe vizionarë. Elita e saj intelektuale po ikën gjithashtu. Të dhënat e OECD për vitet 1996-2011 tregojnë se, mes vendeve më të mëdha Europiane, Italia është një kontribuese neto me shkencëtarë për pjesën tjetër të botës. Për t’i bërë gjërat më keq, ajo tregon kërkuesit me një numër të lartë publikimesh me rëndësi për kërkues mediokër.
Në ekonomiks, shtatë nga tetë marrësit e çmimit Carlo Alberto, i cili u jepet një herë në dy vjet ekonomistëve më të mirë italianë nën moshën 40 vjeç, ishin duke dhënë mësim në universitete elitare të huaja. Dhe kur dikush shikon në majë të shpërndarjes së talenteve, situata është edhe më zhgënjuese. Me pak përjashtime, italianët që kanë fituar çmimet Nobel, medaljet në matepatikë dhe çmimet Pritzker në arkitekturë, apo çmimet për zbulime në shkenca, kanë kryer karrierat e tyre jashtë vendit.
Humbja për vendin është e dyfishtë. E para, ata që ikin janë zakonisht të arsimuar në Itali me shpenzime të qeverisë: rreth $600,000 për një karrierë të plotë shkollore për çdo të arsimuar universitar. Kjo është njësoj sikur vendi të humbasë 4-5 për qind të PBB-së çdo vit që nga viti 2007. E dyta, për shkak se të larguarit janë zakonisht më të pakënaqurit me status quo-në Italia humbet shumicën e agjentëve të ndryshimit – ata që mund të ndryshojnë një ekonomi në stanjacion dhe të shtyjnë për më larg kufijtë e teknologjisë.
Nëse presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ia del nxisë palët për një qeveri të unitetit kombëtar, ai duhet të ngrejë problemin e largimit të trurit në majë të axhendës politike, krahas sistemeve të tregut të punës, sektorit financiar dhe pensioneve. Duke qenë një çështje shqetësuese kombëtare, asnjë forcë politike nuk mund ta pengojë atë. Dhe për të provuar angazhimin e qeverisë në këtë problem, kryeministri i ardhshëm duhet të zgjerojë skuadrën e qeverisë përmes emërimit të një ministri për diasporën.
Idealisht, Italia duhet ta përmbysë tendencën e tharjes së trurit përmes miratimit të reformave të nevojshme për të mbajtur dhe për të ritërhequr talentet e veta. Por, edhe nëse përbërja e parlamentit aktual të ishte më e prirur për reforma, efektet e masave të tilla kërkojnë kohë që të materjalizohen. Ministria e diasporës duhet që të përqendrohet në zgjidhje afatshkurtra, të tilla si politika angazhimi dhe shfrytëzimit të lidhjeve emocionale të të larguarve me atdheun. Edhe nga larg ata mund të kontribuojnë në rigjallërimin e Italisë duke rritur flukset e dijes, parasë dhe inovacionit pas në shtëpi, duke promovuar interesat kombëtare në arenën ndërkombëtare, duke lidhur bizneset vendore me tregjet globale, dhe duke ndihmuar ndërtimin e partneritetit me qendra kërkimore apo kompanive private jashtë vendit. Dhe një ditë, nëse ndryshimi i vërtetë ndryshon, ata mundet edhe të vendosin që të kthehen në shtëpi.
Ministria e re duhet të krijojë hartën e diasporës dhe të përpilojë profile të detajuara të aftësive dhe ekspertizës së poseduar nga mendjet më të shkëlqyera të Italisë nëpër botë. Për rrjedhojë, do të jetë e mundshme të vlerësohet ashpërsia e largimit të trurit, mund të ndërtohet një urë me punëdhënës potencialë në shtëpi dhe të angazhojë emigrantët më të suksesshëm në projekte mentorimi dhe filantropike. Përveç kësaj, qeveria duhet të organizojë mbi një bazë të rregullt aktivitete formale me emigrantët për të shfrytëzuar idetë dhe eksperiencat e tyre në promovimin e inovacionit, sipërmarrjes dhe rritjes së industrive kyçe.
Irlanda përfaqëson burimin më të mirë të frymëzimit për një program të tillë. Që nga viti 2009, Irlanda ka mbajtur një program të quajtur “Global Irish” për të promovuar ndërveprimin e vendit me diasporën e vet masive përmes themelimit të një ministrie të posaçme për zbatimin e masave të shënjestruara të tilla si Forimi Botëror Ekonomik Irlandez.
Rimëkëmbja mbresëlënëse nga kriza financiare e Irlandës një dekadë më parë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen, rekomandimet dhe ndërveprimin e diasporës së saj.
Prej një kohe tepër të gjatë, Italia ka injoruar problemin e vet me largimin e talenteve. Paradoksalisht, kriza aktuale ofron një mundësi të shkëlqyer për ta trajtuar atë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Will More Italians Vote With Their Feet?