![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Marko-Djuric-640-2.jpg)
Autoritetet e Kosovës deportuan Marko Gjuriç, kreun e Zyrës serbe për Kosovën, pasi policia e arrestoi atë në Mitrovicën Veriore për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa presidenti serb Vuçiç e quajti arrestimin e tij ‘rrëmbim’.
Të hënën Kosova deportoi Marko Gjuriç, kreun e zyrës serbe për Kosovën, pasi policia e arrestoi atë në Mitrovicën e Veriut për hyrje të paligjshme në vend.
Gjuriç dhe ministri serb i mbrojtjes, Aleksandër Vulin u ndaluan të hynin në Kosovë nga ministria e jashtme e Kosovës.
Pas raportimeve se Gjuriç kishte marrë pjesë në një mbledhje të komunës në Mitrovicën Veriore, forcat speciale të policisë ndërhynë dhe e arrestuan.
“Bazuar në mohimin e hyrjes së tij në Republikën e Kosovës, policia e Kosovës e largoi këtë individë nga territori i Republikës së Kosovës,” deklaroi policia.
Një doktor në Kosovën e veriut tha se 32 persona u plagosën, pesë prej të cilëve rëndë gjatë përplasjes me policinë për arrestimin e Gjuriç, raportoi Associated Press.
Doktori Milan Ivanoviç tha të hënën se të plagosurit morën mjekim në spitalin vendas dhe më pas dolën nga spitali.
Zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm Behgjet Pacolli thanë se policia u soll sipas ligjeve të vendit.
“Ai u paralajmërua disa herë të respektonte ligjin e Kosovës, ashtu sikurse çdo shtetas duhet të respektojnë ligjet e çdo vendi ku shkojnë”, shkroi Pacolli në Facebook.
Në një deklaratë për shtyp, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç mohoi se Gjuriç shkeli marrëveshjen e Brukselit, duke thënë se ai e njoftoi Prishtinën 75 orë përpara vizitës së tij.
“Ai i dërgoi atyre një lajmërim më 23 mars. Sipas Marrëveshjes së Brukselit, nuk kemi pse kërkojmë leje, por vetëm lajmërojmë zyrtarët për mbërritjen në Kosovë,” tha Vuçiç.
Ai shtoi se Kosova nuk u përgjigj dhe Gjuriç dërgoi një lajmërim të dytë, pas të cilës Kosova informoi Serbinë se nuk mund të përgjigjej pozitivisht më 25 mars.
“Nuk do ta tolerojmë. Të gjithë ata që morën pjesë në rrëmbimin [e Gjuriç] do të përgjigjen përpara autoriteteve [serbe],” tha Vuçiç, duke shtuar se Gjuriç u poshtërua sepse “terroristë e tërhoqën atë zvarrë në rrugët e Prishtinës”.
Presidenti serb shtoi se nuk do të lejonte askënd të dëmtonte serbët apo t’i dëbonte ata nga Kosova veriore.
Ai shtoi se do të mendojë vazhdimësinë e dialogut të drejtuar nga BE-ja me Kosovën me “një mendje të ftohtë” dhe shtoi se pozicionet e vazhdimit në të ardhmen do të jenë “ndryshe”.