![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20180723_152000_230718002-2_WPSOoXi.jpg)
Partia Demokratike sulmoi procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve si të njëanshëm duke e konsideruar rastin e gjyqtarit të lartë Ardian Dvorani si shembull të “standardeve të dyfishta” ndërsa kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se “vetingu po vepron me pavarësi të plotë”.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20180723_152000_230718002-2_WPSOoXi-516x400.jpg)
Gjyqtari Ardian Dvorani doli pa probleme nga hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në seancën e ditës së hënë, por Partia Demokratike në opozitë e konsideroi seancën si një shembull që sipas saj, provon se komisioni “po zbaton standarde të dyfishta gjykimi për gjyqtarët dhe prokurorët që i shërbejnë Edi Ramës.”
Deputeti Gent Strazimiri deklaroi për median se rasti “Dvorani” është tregues se “procesi i vetingut është i korruptuar politikisht.”
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit provoi sërish sot se po zbaton standarde të dyfishta gjykimi për gjyqtarët dhe prokurorët që i shërbejnë Edi Ramës,” tha Strazimiri. Deputeti demokrat tregoi për argument se Dvorani i ka shërbyer qeverisë “Rama”, duke rikujtuar një vendim të Gjykatës së Lartë në gjykimin e veprës penale të rrahjes për shkak të detyrës ndaj deputetëve socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.
“Dvorani është ideatori dhe argumentuesi i çdo vendimi të ndërmarrë kundër Partisë Demokratike”, tha Strazimiri.
Kryeministri Edi Rama u përgjigj në llogarinë e tij në Facebook duke e quajtur vetingun një proces të paanshëm dhe të monitoruar.
“Fletërrufetë kundër Vetingut janë dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Pallatin e Drejtësisë! Loja mbaroi.Gjykatat e sipërme do pastrohen deri në fund e do ringrihen për ta bërë më në fund drejtësinë,” tha Rama.
Dvorani doli pa probleme në hetimin administrativ të vetingut ndërsa një mosdeklarim i llogarive bankare të atij dhe familjarëve të tij në masën 9,9 milionë lekë u shqyrtua si pasaktësi dhe jo si fshehje të ardhurash. Por ky ishte një argument shtesë për Partinë Demokratike, e cila e konsideroi këtë si tregues të “standardeve të dyfishta” të vetingut.
Partia Demokratike e ka sulmuar disa herë gjyqtarin Dvorani, por sulmi i sotëm lidhet në veçanti me një vendim kontrovers të Gjykatës së Lartë të njohur si çështja Ndoka-Ndreu në vitin 2015.
Dy deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu u akuzuan nga prokuroria për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”, pasi kishin goditur me grushte deputetin e PD-së Gent Strazimiri në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë më 14 korrik 2014. Dy deputetët e sulmuan Strazimirin fizikisht pasi ky i fundit denoncoi publikisht njërin prej tyre, Arben Ndokën, si person të dënuar më parë për veprën penale “trafik i qënieve njerëzore”. Ndoka dha dorëheqjen në shtator 2015 pak muaj para se kuvendi të miratonte ligjin për pastërtinë e figurës, të njohur më së shumti si ligji i Dekriminalizimit. Por ai dhe Ndreu arritën të shpëtonin nga dënimi për dhunën e ushtruar ndaj Strazimirit falë vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila e shpalli veten pa kompetencë për të gjykuar çështjen. Dvorani ishte një nga pesë anëtarët e trupës gjykuese e cila shpalli se ndonëse nuk kishte dyshim në faktet e ngjarjes, (dhunës së ushtruar nga dy deputetët socialistë kundër Strazimirit), për shkak se ngjarja kishte ndodhur brenda mjediseve të Kuvendit ajo nuk kishte kompetencë për të gjykuar. [Link vendimi]
Katër nga pesë anëtarët e trupit gjykues të këtij vendimi mbështetën shumicën për shpalljen e moskompetencës, ndërsa një, ish-gjyqtari Admir Thanza, shprehu opinion pakice kundër pushimit të çështjes ndaj dy deputetëve.