![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/FSK__flamuri_i_Kosoves.jpg)
Një raport i ri mbi dorëheqjen në masë të anëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës fajëson qeverinë serbe dhe e akuzon atë për “ndërhyrje brutale” në një institucion të Kosovës.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/FSK__flamuri_i_Kosoves.jpg)
Pas dorëheqjes së një numri anëtarësh serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS, ka publikuar një raport që fajëson presionin e qeverisë serbe.
Sipas QKSS, presioni ndaj anëtarëve serbë të FSK-së dhe tërheqja e tyre masive përbënin një akt “ndërhyrje brutale” nga Serbia në një institucion shtetëror të Kosovës.
Ajo thotë se tërheqja e planifikuar e më shumë se 60 anëtarëve serbë të FSK-së u zhvillua si pjesë e një operacioni të menduar ushtarak dhe psikologjik, të organizuar nga pjesëtarë të inteligjencës ushtarake në Beograd dhe në Vranjë, në Serbinë jugore.
“Kërcënimet për ndërprerjen e pagave/skemave të pensioneve të anëtarëve të afërt dhe familjeve të mëdha që banojnë në Serbi dhe ndalimi i hyrjes në Serbi u përdorën si mjet presioni ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së,” thuhet në raport.
Ajo ishte ushtruar gjithashtu edhe presion psikologjik. Anëtarëve serbë të FSK-së gjithashtu u ishte thënë se një luftë midis Serbisë dhe Kosovës ishte e afërt dhe se ata do të “përfundonin duke luftuar kundër vëllezërve të tyre në Ushtrinë Serbe”.
QKSS rekomandon që institucionet e Kosovës të përgatisin një strategji të re për integrimin e mëtejshëm të komunitetit serb në FSK, me mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë në vend.
“MFSK duhet të rekrutojë anëtarë të rinj të komunitetit serb si një kundërmasë ndaj veprimeve të Serbisë dhe të plotësojë vendet e lira,” shkruan raporti.
Mediat në Kosovë dhe Serbi kanë raportuar se një numër anëtarësh serbë të FSK-së multietnike kanë braktisur kohët e fundit forcën, ndërsa politikanët e Kosovës fajësojnë Beogradin për gjoja “presion” ndaj serbëve për t’u larguar.
Organi kuazi-ushtarak u nis në fillim të vitit 2009 dhe u bë plotësisht funksional në vitin 2013.
Ibrahim Shala, nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për BIRN shkurt se rreth 6 për qind e pjesëtarëve të FSK-së vijnë nga komuniteti serb dhe janë integruar mirë në institucion.
Por Igor Simiç, nga Lista Serbe, tha për faqen e internetit serbe Telegraf.rs në korrik se serbët e Kosovës nuk duhet të jenë pjesë e një ushtrie të Kosovës.
“Qëndrimi i Listës Serbe është shumë i qartë dhe ky qëndrim ndahet nga i gjithë populli serb në Kosovë dhe Metohi. KFOR është e vetmja forcë e ligjshme ushtarake në këtë rajon që është e pranishme në bazë të pëlqimit të Beogradit dhe sipas Rezolutës së OKB-së 1244.
“Prishtina po përdor gjendjen e vështirë financiare të disa familjeve me qëllim që t’u bëjë shantazh serbëve që të pranojnë të jenë pjesë e një forme të ushtrisë së Kosovës, në mënyrë që të tregojë një lloj kuazi-multietniciteti të këtyre forcave,” tha ai.
Kosova ka kërkuar prej kohësh të formojë një ushtri të rregullt pavarësisht kundërshtimit të madh nga Serbia dhe nga pakica serbe në Kosovë.
Qeveria e Kosovës të enjten miratoi një projektligj të ri për FSK-në, duke zgjeruar kompetencat e saj, por duke shmangur nevojën për ndryshime kushtetuese të kërkuara për ta kthyer atë në një ushtri të rregullt.