Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda uli me 6 muaj dënimin ndaj ish-gjykatësit Shkëlqim Miri, ndërsa la në fuqi vendimin për fajësinë e tij për akuzën “e korrupsionit pasiv të gjyqtarit”.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda zbuti me 6 muaj dënimin ndaj ish-gjykatësit Shkëlqim Miri, ndërsa la në fuqi vendimin për fajësinë e tij për akuzën “e korrupsionit pasiv të gjyqtarit”. Apeli ndërkohë la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ndaj Kujtim Mirit, i arrestuar në të njëjtën çështje.
Mbrojtja e dy të dënuarve kishte kërkuar pafajësi, ndërsa prokuroria lënien në fuqi të vendimit të Gjykatë së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Kjo e fundit dënoi në nëntor 2018 ish-gjykatësin me 2 vjet e 6 muaj burg. Kodi Penal parashikon dënime deri në 10 vjet për këtë vepër penale.
Miri u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Ish-gjyqtari së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe shtetasin Alban Bucin u arrestuan nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi sipas organit të akuzës ndërhynë për të lënë në fuqi dënimin me 8 vite burg për të pandehurin Gentian Doda kundrejt 30 mijë eurove – vendim i cili i dha lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.
Gentian Doda, i cili ishte dënuar në vitin 2012 me 20 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes kishte marrë një ulje dënimi nga Gjykata e Matit dhe më pas trupa gjykuese e Apelit të Tiranës, pjesë e të cilës ishte edhe gjykatësi Miri, la në fuqi dënimin e ri me 8 vjet burg ndaj tij.
Shkëlqim Miri, 46 vjeç, ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Akuza ndaj ish-gjyqtarit Miri u mbështetën në një sërë përgjimesh dhe më pas në sekuestrimin e sasisë prej rreth 250 mijë eurosh që u gjetën ‘cash’ në shtëpinë e tij.
Nga pretenca rezulton se Miri nuk ka mundur të vërtetojë ligjshmërinë e parave që iu kapën. Ai pretendoi se një pjesë e parave, sasia në lekë, i përkisnin babait. Por prokuroria tha se pretendimi nuk qëndronte. Po ashtu sipas prokurorisë as pretendimi se sasia prej 174 mijë eurosh i ishte lënë për investim nga të afërm të bashkëshortes nuk qëndronte.
Avokati i Mirit Ardian Visha tha se akuzat ndaj klientit të tij nuk qëndronin dhe se ai ishte dënuar si simboli i korrupsionit në gjyqësor por se “Kazusi është ndërtuar pa logjikë e prova”. Ai theksoi se i vetmi sukses i hetuesve ka qenë gjetja e parave në shtëpinë e gjyqtarit.
Gjithashtu, ai pohoi se gjykata ka mbajtur standarde të ndryshme në pohimet e saj dhe se një gjyqtar i një tresheje gjykuese e ka të pamundur të garantojë rezultatin e vendimit, pasi nevojiten të paktën dy vota. “Kjo është irracionale. Gjykata thotë se 30 mijë eurot e marra u gjetën në shtëpinë e Shkëlqim Mirit”, pohoi Visha duke ritheksuar se klienti i tij nuk mund ta merrte i vetëm vendimin.
Edhe avokati i Kujtim Mirit, Ilir Murati mbajti të njëjtin qëndrim me kolegun e tij Ardian Visha ndërsa kërkoi pafajësi për klientin e tij.