Prokurori Behar Dibra tha se kishte kërkuar ndryshim të akuzës dhe shpallje të moskompetencës për Gjykatën e Krimeve të Rënda në seancën paraprake, por kërkesa u rrëzua duke nisur procesin gjyqësor për sulmin ndaj policisë në tregun agro-ushqimor të Elbasanit.
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të enjten mes debatesh, çeljen e shqyrtimit gjyqësor për Suel Çelën, Klemend Xhaferrin dhe Enea Bekteshin, të cilët akuzohen për tentativën e vrasjes së katër punonjësve të policisë.
Ata akuzohen për sulmin e ndodhur më 18 shtator 2017 në hyrje të tregut agro-ushqimor në Elbasan ndaj punonjësve të policisë që po kryenin kontrolle në zonë.
Shqyrtimi gjyqësor u hap pavarësisht se prokurori Behar Dibra ndryshoi qëndrim mbi kualifikimin e veprës penale. Ai shpjegoi se kishte kërkuar gjatë seancës paraprake ndryshimin e akuzës nga vepra penale e tentativës së vrasjes në “kundërshtim të forcave të policisë në detyrë” dhe “goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
“Kjo gjykatë duhet të vlerësojë kërkesën time për moskompetencë të shqyrtimit të kësaj çështjeje. E parashtroj këtë kërkesë, pasi konsideroj se kjo gjykatë nuk e ka kompetencën, por e ka gjykata e Elbasanit dhe çështja duhet të transferohet atje,” tha prokurori Dibra në seancë.
Kryesuesi i treshes gjykuese, Klodian Kurushi e pyeti prokurorin Dibra se për çfarë veprash penale kishte ardhur në këtë gjykim. Dibra u përgjigj se gjatë seancës paraprake kishte proceduar për ndryshim akuze.
Në këtë moment kanë ndërhyrë avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilëve gjyqtari Kurushi u është drejtuar me pyetjen nëse ishin palë me prokurorin. Prokurori Dibra vazhdoi më tej se kërkesa e tij për ndryshimin e akuzës është e pasqyruar në dosjen e seancës paraprake.
Avokati Sokol Hazizaj u shreh se në seancën paraprake, gjykata ka ndryshuar akuzën me të cilën ka shkuar prokurori duke rënduar të proceduarit. Sipas tij, gjykata ka gabuar se ka vendosur një akuzë më të rëndë nga ajo që ka kërkuar prokuroria, edhe pse një gjë e tillë nuk është e parashikuar në legjislacion.
Kryesuesi i seancës, Klodian Kurushi sqaroi se prokurori kishte shkuar në gjykatë me akuzën e vrasjes dhe se e kishte kërkuar në moment ndryshimin. Por avokatët i kanë qëndruar versionit të tyre, duke kërkuar shpalljen e moskopetencës dhe shpalljen e pavlefshëm të seancës paraprake.
Prokurori Dibra shpjegoi gjatë seancës se e kishte ngritur dy herë çështjen e kompetencës në fazën e hetimeve. Dosja ishte transferuar disa herë nga Prokuroria e Elbasanit në atë të Krimeve të Rënda dhe anasjelltas, derisa mbeti te kjo e fundit.
Trupi gjykues u tërhoq për vendim dhe më pas vendosi që çështja të shqyrtohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
“Vlerësojmë se gjykata i është referuar kërkesës për gjykim të prokurorit në vendimmarrjen e saj. Në kërkesën e prokurorit, kjo gjykatë është kompetente. Në lidhje me kërkesën për shpallje të pavlefshmërisë së vendimit të gjyqtarit paraprak, vlerësojmë se gjykata i është referuar kërkesës për gjykim,”u shpreh trupi gjykues.
Pas bërjes me dije të këtij vendimi, avokati Genc Gjokutaj pretendoi se ishte i pakuptueshëm, për nga mënyra se si u shpreh. “Ne kërkojmë kohë për të shqyrtuar këtë vendim dhe më pas do të vazhdojmë me kërkesat e tjera, sepse kishim një tjetër optikë mbi çështjen”, theksoi Gjokutaj. Prokurori Behar Dibra e la në çmimin e gjykatës, e cila vendosi të shtyjë seancën për më datë 7 mars, ora 12:00.
Para debatit gjyqësor mbi akuzat dhe kompetencën, gjyqtari Klodian Kurushi bëri me dije se të pandehurit Klemend Xhaferri dhe Enea Bekteshi nuk dëshironin të merrnin pjesë në seancë, por do të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre, Genci Gjokutaj, Sokol Hazizaj dhe Eno Bushi.
Ndërkohë, urdhëri i gjykatës drejtuar policisë së Elbasanit dhe Interpolit për njoftimin e të pandehurit Suel Çela nuk ka sjellë rezultat për identifikimin e vendodhjes së këtij të fundit. Por avokati Genc Gjokutaj bëri me dije se kishte një prokurë të posaçme përfaqësimi nga Suel Çela. Sipas Gjokutajt, noteri Armand Shqarri, me kërkesë të Suel Çelës ka shkuar jashtë shtetit dhe i ka marrë firmën ku është nënshkruar prokurora e posaçme se ai do të përfaqësohet në këtë gjykim nga avokatët Genci Gjokutaj dhe Shkëlqim Duka.