![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/brussels-4056171_960_720.jpg)
Bashkimi Europian nuk mund të përballojë një tjetër dekadë menaxhimi krizash dhe pavendosmërie. Në vend të kësaj, ai duhet të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme të bazuar në katër shtylla: një axhendë ambicioze, një fokus te rezultatet, reformim të institucioneve të BE-së dhe një theks të përtërirë mbi vlerat europiane.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/brussels-4056171_960_720-600x400.jpg)
Bashkimi Europian e ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës së kaluar duke menaxhuar kriza dhe është përballur edhe me një kërcënim të mundshëm për vazhdimin e ekzistencës së tij. Edhe qëndrimet popullore ndaj BE-së janë pakësuar. Ndërsa qytetarët përgjithësisht ishin pozitivë për dy valët e para të integrimit europian në vitet 1950 dhe 1980, ata kanë qenë gjithnjë e më kritikë ndaj BE-së që nga viti 2008-2009, në mos edhe më herët. Çështja kryesore në Europë sot është kjo: a jemi ne më mirë apo më keq pa njëri-tjetrin?
Në librin e tij “Economics for the Common Good”, ekonomisti francez fitues i çmimit Nobel Jean Tirole argumenton se shpresa që karakterizoi projektin europian për dekada me radhë, i ka lënë vend pasigurisë. “Sot ne kemi përsëri nevojë për një vizion afatgjatë,” shkruan Tirole dhe “ne duhet të rehabilitojmë idealin europian dhe të mbetemi të bashkuar rreth tij”.
Ai ka te drejte. BE-ja nuk mund të përballojë një dekadë tjetër menaxhimi krizash dhe pavendosmërie. Përkundrazi, ajo duhet të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme në katër shtylla: një axhendë politike ambicioze, një fokus te rezultatet, reformim të institucioneve të BE-së dhe një ritheksim të vlerave europiane.
Realizimi i një programi të tillë do të përmirësonte cilësinë e jetës në të gjithë Europën, do t’u jepte qytetarëve siguri më të madhe, do të promovonte të mirën e përbashkët, do të stimulonte inovacionin dhe do ta bënte Europën më elastike. Për fat të mirë, BE-ja është e vendosur për të zhvilluar një vizion të guximshëm, por realist që do të ndihmojë për të luftuar kritikat nga qytetarët e saj.
Axhenda e politikës së BE-së për dekadën e ardhshme duhet të përfshijë sfida globale siç janë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, ndryshimet klimatike dhe ekonomia rrethore. Europa duhet të përqendrohet gjithashtu – në një kuptim teknologjik, social dhe moral – në ekonominë digjitale, duke përfshirë implikimet e saj për krijimin e vendeve të punës dhe pabarazinë. Dhe BE-ja duhet të trajtojë çështjen komplekse të emigracionit, sidomos në pikëpamjen e turbullirave në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Me traditat ekonomike të tregut social dhe përkushtimin ndaj solidaritetit dhe angazhimit, Europa mund dhe duhet të shkëlqejë në këto fusha. Por për të realizuar këtë potencial, BE-ja dhe shtetet e veta anëtare individuale kanë nevojë për objektiva të qarta politike. Bizneset europiane do të duhet të bashkojnë burimet e tyre, ashtu si edhe institucionet si universitetet dhe qendrat kërkimore. Gjithashtu do të kërkohet ndryshim në politikat arsimore dhe bashkëpunimi më i madh me organizatat e shoqërisë civile.
Në ndjekjen e kësaj axhende, BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi arritjes së objektivave specifike dhe rezultateve të dukshme, si dhe matshmërisë dhe llogaridhënies. Kjo është vendimtare për besueshmërinë e projektit europian. Shumica e pjesës tjetër të botës operon në këtë mënyrë dhe Europa nuk mund të lejojë që të mbetet prapa.
Prandaj, çdo shtet anëtar duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze dhe me integritet rregullat ekzistuese të BE-së, me sanksione të besueshme për mospajtim. Për më tepër, të gjitha zgjedhjet e politikave duhet të kenë një bazë të qëndrueshme financiare, e cila do të kërkojë përdorimin e duhur, efektiv dhe të verifikueshëm të burimeve dhe rishqyrtim të prioriteteve të shpenzimeve. Dhe parimi i subsidiaritetit (sipas të cilit vendimet e politikave merren në nivelin më të përshtatshëm të qeverisë) duhet të respektohet kudo.
Sa i përket shtyllës së tretë, Europa do të duhet të marrë vendime të ashpra rreth institucioneve të saj. Roli dhe rëndësia e Këshillit Europian duhet të jetë i vetëkuptueshëm, duke pasur parasysh nevojën për angazhimin e shteteve anëtare, zbatimin e pajtueshmërisë me marrëveshjet dhe forcimin e kapacitetit për të vepruar. Në të njëjtën kohë, BE-ja ka nevojë për një kuadër për të kanalizuar pikëpamjet e kundërta. Këtu duhet të bëjnë para Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian. Për më tepër, të gjitha institucionet e BE-së herët ose vonë duhet të bazohen në një qendër të vetme administrative. Dhe të gjitha reformat institucionale duhet të synojnë ta bëjnë BE-në më të përgjegjshme.
Së fundmi, qytetarët e Europës duhet të mos harrojnë se BE-ja nuk është thjesht një makineri vendimmarrëse. Ajo është një komunitet i mbështetur nga vlera që kanë dhënë shtysë për integrim dhe bashkëpunim dhe pushteti i tyre mbetet i pa zvogëluar në shekullin e XXI. Paqja, demokracia, liria, solidariteti, barazia, drejtësia dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë po aq të rëndësishme sot sa ishin në vitet e hershme të BE-së.
Në të njëjtën kohë, Europa duhet t’i rikalibrojë këto vlera për një epokë ndryshimi, përçarje dhe tranzicioni të shpejtë dhe të inkurajojë ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve për to. Kjo kërkon arsimim të mëtejshëm, debat publik dhe angazhim mediatik, si dhe një reflektim më të thellë mbi këto vlera midis politikanëve europianë. Bizneset, universitetet, organizatat e shoqërisë civile dhe institucione të tjera duhet të theksojnë gjithashtu bazat normative të së ardhmes së Europës.
Europa ka pasur një dekadë të vështirë. Por, me një axhendë frymëzuese dhe afatgjatë, BE-ja mund të fillojë më në fund të largohet nga menaxhimi i krizave dhe t’i rikthehet realizimit të qëllimeve afatgjata. Dhe qytetarët do të kishin përsëri një arsye për t’u ndjerë mirë për Europën.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2018. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. An Agenda for Europe’s Next Decade