![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20181005_191028_051018051-4_nvUt525.jpg)
Tre prokurorët e çështjes argumentojnë se vendimi i lirimit kundrejt garancisë pasurore të Martinajt ka nënvlerësuar rrezikshmërinë e lartë shoqërore të veprës penale dhe të dyshuarit, duke kërkuar nga Gjykata e Apelit rikthimin e tij në qeli.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20181005_191028_051018051-4_nvUt525-595x400.jpg)
Prokuroria e Tiranës kundërshtoi në Apel lirimin nga qelia të Ervis Martinajt, ndërsa e cilësoi vendimin e gjyqtarit Artan Gjermeni si jashtë “tragrit ligjor” dhe në shmangie të rrezikshmërisë shumë të lartë të veprës penale dhe personit të dyshuar.
Prokurorët e çështjes, Anisa Qilimi, Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulaj ankimuan në Gjykatën e Apelit lirimin e Martinajt kundrejt “garancisë pasurore” dhe kërkuan rikthimin e masës së “arrestit me burg” për të.
“Gjykata e hetimeve paraprake nuk ka asnjë tagër dhe mundësi ligjore të shqyrtojë themelin e çështjes penale dhe as bazueshmërinë e faktit në prova,” thuhet në apelimin e tre prokurorëve për Ervis Martinajn.
“Gjykata ndalohet të kryejë kualifikimin ligjor të veprës penale, përsa kohë çështje penale është ende në fazën e hetimeve paraprake,” shtohet në apelim.
Ervis Martinaj akuzohet nga Prokuroria e Tiranës si organizator i konfliktit të armatosur të 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë miku i tij Fabjan Gaxha dhe u plagos Eljon Hato. Ai është në procedim nga Prokuroria për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, “fshehje e të ardhurave”, “organizimi i lotarive të palejuara”, “vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Pavarësisht listës së gjatë të akuzave, gjyqtari Artan Gjermeni vendosi më 3 maj të lirojë nga burgu Martinajn në këmbim të një garacie pasurore prej 5 milionë lekësh. Grupi i tre prokurorëve e cilëson të pabazuar argumentin se “veprimet e Martinajt klasifikohen në fazën përgatitore të veprës penale”, duke e konsideruar këtë kualifikim të veprës penale që në fazën e hetimeve paraprake.
“Gjykata ka gabuar në konkluzionin se provat e administruara nuk tregojnë për implikim të të hetuarit Ervis Martinaj në ngjarjen e datës 4 tetor 2018,” argumentojnë prokurorët, ndërsa kujtojnë se në dy vendime të mëparshme, gjykata e ka pranuar dyshimin e arsyeshëm.
Ata mbrojnë qëndrimin se i hetuari Martinaj ka vepruar aktivisht në pozicionin e organizatorit dhe nxitësit të grupit të personave që e shoqëronin, ç’ka ka sjellë më pas edhe përplasjen me armë zjarri.
“Gjykata nuk ka marrë parasysh rrezikshmërinë shumë të lartë shoqërore të veprës penale dhe të personit të dyshuar dhe ka nënvlerësuar faktin se ai është i dyshuar edhe për disa vepra të tjera penale,” thuhet në ankimin e prokurorëve të Tiranës.
Ata e mbështesin kërkesën për rikthimin e masës së arrestit me burg edhe për shkak të rrezikut të ikjes, duke theksuar se përdorimi prej Martinajt i një pasaporte të Kosovës me identitetit të falsifikuar e rëndon pozitën e tij.
Para përplasjes së armatosur në lokalin “Monopol” në ish-Bllok, emri i Ervis Martinajt është lakuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në Tiranë. Ai është hetuar dhe dënuar tre herë për organizim lotarish të palejuara si dhe u procedua për vrasjen e Enton Nikës në vitin 2015 në Linzë – ngjarje për të cilën Gjykata e Apelit të Tiranës e çliroi nga akuzat.