![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Shauip-Beqiri.jpg)
Pas tre mandateve të konsumuara në vitet 1996-2006, Shuaip Beqiri u rikthye në krye të bashkisë së Konispolit në vitin 2015. Si ka ndryshuar pasuria e tij përgjatë viteve të karrierës.Karriera e Shuaip Beqirit në krye të bashkisë së Konispolit është e ndarë në dy etapa- ai konsumoi tre mandate në vitet 1996-2006 dhe u rikthye sërish si kryebashkiak në vitin 2015 si përfaqësues i Partisë Socialiste. Nën siglën e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane, ai fitoi kundrejt kundërshtarëve me 47% të votave.
Shuaip Beqiri ka përfunduar fakultetin e Mjekësisë në vitin 1991 në Tiranë dhe deri në vitin 1996 ka ushtruar profesionin e mjekut në Sarandë dhe Konispol. Beqiri drejtoi bashkinë e Konispolit për tre mandate gjatë viteve 1996-2006.
Pas shkëputjes nga politika lokale, Beqiri kreu specializimin për imazheri dhu punoi si drejtor mjekësor deri në vitin 2015 në klinikën mjekësore “Ikeda”. Paralelisht me punën, ai u angazhua edhe në mësimdhënie fillimisht si asistent/pedagog në universitetin e Mjekësisë dhe më pas si pedagog i jashtëm në Universitetin Amerikan të Tiranës.
Shuaip Beqiri ishte kandidat për deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës në vitin 2015, ndërsa në vitin 2015 kandidoi për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Konispolit, të cilën e fitoi. [Lexo CV-në e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e kryetarit të bashkisë së Konispolit në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiaku Beqiri nga viti 2003 deri në 31 dhjetor të vitit 2017. [Kliko skedën në PDF].
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Shuaip-Beqiri-foto.jpg)
Kryetari i bashkisë së Konispolit ka dorëzuar në ILDKPKI deklaratat e pasurisë nga viti 2003 deri në vitin 2007 dhe i është rikthyer deklarimit në vitin 2015. Në vitin 2003, ai deklaronte një shtëpi banimi dhe tokë bujqësore në Konispol si dhe kursime familjare në vlerën e 500 mijë lekëve.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e deklaruar nga Beqiri është rritur me 22 herë dhe kap vlerën e 11.2 milionë lekëve. Kryebashkiaku i Konispolit deklaron prona të patundshme me vlerë 8.5 milionë lekë, 1.2 milionë lekë likujditete bankare dhe kursime në cash prej 1.5 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 15 milionë lekë. Zëri kryesor i të ardhurave buron nga shitja e pasurive të patundshme me vlerë 9.2 milionë lekë ose 61% e totalit, paga e bashkëshortes në masën 22% dhe paga nga funksioni e subjektit në masën 15%.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, nga të cilat njëra rezultoi me probleme.
Më konkretisht, me përfundimin e mandatit si kryebashkiak në vitin 2007, Beqiri ka deklaruar pronësinë mbi 1 milionë lekë kursime në cash, 1 milionë lekë likujditete në bankë dhe një shtëpi banimi dhe 2800 m2 tokë bujqësore në Konispol. Kur është rikthyer sërish në funksion në vitin 2015, ai deklaron se pasuria e tij kishte kapur vlerën e 21.1 milionë lekëve.
Të ardhurat e deklaruara për shtimin e pasurisë janë një kredi bankare prej 28 mijë eurosh, shitja e shtëpisë në Konispol për 2.5 milionë lekë dhe të ardhurat nga pagat. Në pamundësi të përfshirjes në këtë analizë të të ardhurave familjare për vitet 2007-2015, shtesa e pasurisë që nuk mbulohet nga burimet e deklaruara kap vlerën e 15.2 milionë lekëve.
BIRN identifikoi gjithashtu një “flamur të kuq” në vitin 2016, ku kryetari i bashkisë nuk ka deklaruar të ardhura nga pagat.
Deklarata e pasurisë së vitit 2003
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al