![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Nesim-Spahiu.png)
Kryetari i Bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu rezulton me mungesë burimesh financiare në shumën 4.5 milionë lekë në vitin 2011, ndërkohë që transaksionet e shpeshta me makinat i kanë siguruar familjes fitime prej 1.2 milionë lekësh.Nesim Spahiu u zgjodh për herë të parë si kryetar i Bashkisë së Skraparit në vitin 2011 dhe mori një mandat të dytë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i mbështetur nga koalicioni i atëhershëm “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Spahiu fitoi me 86.34% të votave kundrejt kandidatit të propozuar nga koalicioni “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”.
Spahiu është diplomuar në vitin 1988 për Ekonomi në Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe deri në ndryshimin e sistemit ka punuar si ekonomist në ndërmarrjen e kullotave. Në vitet 1991-1993 ai ka punuar si kryetar i degës së financës, ndërsa në vitet 1993-1996 si kryetar i kthimit dhe kompensimit të pronave.
Ai u përfshi në politikën aktive lokale në vitin 2000, kur kandidoi dhe u zgjodh për dy mandate si kryetar i komunës Qendër Skrapar. Gjatë viteve 2007-2011, ai ka mbajtur pozicione në administratë si specialist i emergjencave apo drejtor i bordit të kullimit në Berat. Prej vitit 2011 e në vazhdim, Z.Spahiu drejton bashkinë e Skraparit. [Lexo CV-në e plotë]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiaku Spahiu nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko këtu për skedën në PDF]
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Nesim-Spahiu-skeda.jpg)
Kryetari i bashkisë së Skraparit zotëronte pasuri familjare prej 1.2 milionë lekësh në vitin 2004. Referuar deklaratës së tij të parë të dorëzuar në ILDKPKI, ai zotëronte një shtëpi banimi me vlerë 1 milion lekë dhe 2700 m2 tokë bujqësore të blerë për 200 mijë lekë në vitin 1991.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Z.Nesim Spahiu është rritur me më shumë se 3 herë dhe kap vlerën e 4.3 milionë lekëve. Ai zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë 1.8 milionë lekë, automjete me vlerë 1.9 milionë lekë si dhe likujditete bankare prej 532 mijë lekësh.
Gjatë viteve që ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë, Spahiu deklaron të ardhura familjare në shumën 32.9 milionë lekë. Të ardhurat nga pagat e familjarëve përbëjnë 57% të të ardhurave, ndërsa paga nga funksioni zë 26%. Rreth 9% e të ardhurave totale buron si fitim nga shitja e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë 2.9 milionë lekë. Kryebashkiaku i Skraparit deklaron gjithashtu të ardhura nga vreshtaria në masën 6%.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 9 vite të deklarimit, nga të cilat një vit rezultoi me probleme dhe tetë vite të tjera pa probleme.
Përveç kontrollit aritmetik-logjik, BIRN ndërmori dhe një analizë cilësore të deklaratave të kryebashkiakut Nesim Spahiu për të identifikuar “flamuj të kuq” apo indicie për verifikime të thelluara.
Nga kjo analizë rezulton se subjekti dhe familjarët e tij kanë deklaruar shtesë pasurie në vitin 2011, të pashoqëruar me burimet financiare; mes të cilave një apartament në emër të djalit në Tiranë, i blerë për 44 395 euro si dhe automjete. Vlera e pambuluar me burime financiare të deklaruara është 4.5 milionë lekë.
BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” të ardhurat e deklaruara në vitet 2005 dhe 2006 nga vreshtaria, nga një sipërfaqe toke e marrë në përdorim nga babai i tij. Nga ky aktivitet familja ka krijuar 2 milionë lekë të ardhura.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar lidhet me shitjen e një apartamenti në Tiranë nga djali i subjektit për 60 mijë euro, ndërkohë që nuk deklarohen të dhëna mbi destinacionin e mjeteve monetare të përfituara nga shitja. Ky apartament është deklaruar në vitin 2011 si dhuratë nga babai me sipërfaqe 101 m2, ndërkohë që sipërfaqja e shitur deklarohet 90.7 m2 në vitin 2017.
Gjatë viteve të deklarimit, kryebashkiaku Spahiu dhe familjarët e tij deklarojnë transaksione të shpeshta në shit-blerje automjetesh. Këta transaksione kanë siguruar fitime prej 1.2 milionë lekësh për familjen Spahiu.
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al