![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-opozites-2-qershor2.jpg)
Protesta e 2 qershorit e organizuar nga partitë politike të opozitës shënoi një nivel të ri dhune. Protestuesit shënjestruan policinë për disa orë me fishekzjarrë të stërmëdhenj ndërsa policia hodhi ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Disa persona, përfshirë protestues, policë dhe një kameraman pësuan lëndime.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-opozites-2-qershor3-600x400.jpg)
Protesta e partive politike të opozitës më 2 qershor 2019 shënoi një nivel të ri të lartë dhune pasi mbështetësit e opozitës hodhën në mënyrë intensive një sasi të lartë fishekzjarrësh shumë të mëdha kundër forcave policore, duke shkaktuar edhe plagosjen e së paku një protestuesi dhe një kameramani ndërsa policia njoftoi nëpër altoparlantë se disa oficerë të saj gjendeshin për ndihmë mjekësore në spital.
Partitë politike të opozitës organizuan të shtunën protestën e tyre të shtatë të madhe duke kërkuar rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka bërë thirrje të përsëritura për dialog, por këmbëngul se vendi do të shkojë në zgjedhjet për pushtetin vendor më 30 qershor, pavarësisht se aktualisht për shumicën e bashkive konkurrojnë vetëm kandidatët e maxhorancës.
Protesta zgjati mbi tre orë. Në fillim protestuesit hodhën fishekzjarrë drejt ndërtesës së kryeministrisë ku u shënuan përplasje të vogla me policinë, ndërsa disa protestues me shiritë të bardhë u panë duke ndalur protestues të tjerë nga përleshjet. Por pak më vonë, demokratët drejtuan protestuesit për te selia e Kuvendit të Shqipërisë në rrugën George Bush, ku një betejë e vërtetë pirroteknike u zhvillua. Protestuesit përdorën një gamë të gjerë fishekzjarrës, të cilët i hodhën drejt forcave speciale të policisë të pozicionuar te hyrja e Kuvendit.
Policia bëri thirrje të përsëritura për protestë paqësore përmes autoparlantëve ndërsa vetëm pas orës 9.40 autoritetet përdorën ujin me presion dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Kryetari demokrat Lulzim Basha shpalli në fund të protestës së të dielës “përshkallëzim të mëtejshëm të saj”.
Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë dënuan menjëherë dhunën.
“Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik,” bëri të ditur ambasada e SHBA në një postim në Facebook.
“Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv,” shtohet në deklaratë.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-opozites-2-qershor5-600x400.jpg)
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-opozites-2-qershor4-600x400.jpg)
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-opozites-2-qershor6-600x400.jpg)
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-opozites-2-qershor7-600x357.jpg)
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Protesta-e-opozites-2-qershor8-600x400.jpg)