![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Rama-Meta1.jpg)
Pas vendimit të papritur të presidentit Ilir Meta për anulim të zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Socialiste paralajmëroi shkarkimin e Metës nga posti i presidentit. Shqipëria hyn në këtë mënyrë në një kaos kushtetues të paprecedent deri tani.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Rama-Meta1-538x400.jpg)
Partia Socialiste kërcënoi të hënën se do të shkarkojë Ilir Metën nga posti i presidentit të Republikës pas vendimit të këtij të fundit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por kërcënimi për shkarkim duket se do të mbetet i tillë në mungesë të një gjykate kushtetuese funksionale.
“Kryesia e PS ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës mbi Republikën Parlamentare të Shqipërisë. Kryesia ka vendosur që të enjten të zhvillojë një debat parlamentar, duke shtjelluar argumentet, se si Ilir Meta ka sulmuar Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, që quhet çdekretim,” deklaroi për Partinë Socialiste Elisa Spiropali.
“Do fillojmë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga Presidenca të enjten,” shtoi ajo.
Gjithsesi, kërcënimi i socialistëve për shkarkim ka gjasa do të mbetet vetëm kërcënim. Sipas kushtetutës, shkarkimi i presidentit mund të bëhet për një shkelje të rëndë kushtetuese, por për këtë nevojiten dy të tretat e të gjithë parlamentit si dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese për të vleftësuar shkeljen. Socialistët nuk i kanë dy të tretat e parlamentit ndërsa gjykata kushtetuese është jofunksionale.
Meta vendosi të shtunën të dekretojë shfuqizimin e dekretit për zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor më 30 qershor 2019 pa dhënë shpjegime. Rama deklaroi se dekreti për çdekretim është nul dhe se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.
Të hënën në mëngjes, Meta argumentoi para gazetarëve vendimin e çdekretimit.
“Pa patur një datë të caktuar nga presidenti i Republikës, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë,” tha Meta duke shtuar se e kishte ndërmarrë vendimin në bazë të funksionit të tij si “përfaqësues i unitetit të popullit”.
Partitë politike të opozitës, ku bën pjesë edhe ish-partia e Metës, Lëvizja Socialiste për Integrim, vendosën në mënyrë të paprecedentë të mos marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor të këtij viti, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe duke pretenduar se qeveria përdor krimin e organizuar për të fituar zgjedhjet.
Maxhoranca pati shpresuar se do të arrinte të zhvillonte zgjedhje për pushtetin vendor edhe pa praninë e opozitës. Deri tani në shumicën e bashkive ka vetëm një kandidat për kryetar ndërsa në një pjesë konkurrojnë disa të pavarur dhe disa të partisë së re Bindja Demokratike.
Lëvizja e Metës duket se synon saktësisht të ulë edhe më tej legjitimitetin e zhvillimit të zgjedhjeve me një palë.
Vendi gjendet aktualisht pa një gjykatë kushtetuese funksionale që të mund të zgjidhë mosmarrëveshjet e këtij niveli dhe kjo gjë vlen si për çdekretimin e zgjedhjeve nga Meta ashtu edhe për kërcënimin për shkarkim nga socialistët.