Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Klodiana Veizi do të përballet të hënën me vetingun. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtarja e Gjykatës Administrative në Durrës, Klodiana Veizi do të përballet të hënën më 17 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen vetingun për Veizin përbëhet nga Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi dhe Etleda Çiftja.
Klodiana Veizi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2005 ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Lushnjes, ndërsa në vitin 2014 ajo u zgjodh anëtare e Gjykatës Administrative të Durrësit me dekret të presidentit të Republikës.
Klodiana Veizi është gjithashtu anëtare zëvendësuese e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e zgjedhur për vitin 2019 përmes shortit të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Klodiana Veizi nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Klodiana Veizi nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2004; kur deklaroi për herë të parë interesat private të ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare llogaritet në 5.3 milionë lekë, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 409 mijë lekësh.
Pasuria kryesore e familjes Veizi është pjesa takuese e bashkëshortit në objektin “Shtëpia e ushtarakëve” në Himarë, e privatizuar si trashëgimtar i ish-pronarëve të truallit. Ata zotërojnë gjithashtu pjesë takuese në apartamentet e prindërve; duke e llogaritur gjithë pasurinë e patundshme të deklaruar në 2.5 milionë lekë. Gjyqtarja deklaron gjithashtu likujditete bankare familjare prej 2.7 milionë lekësh si dhe kursime në cash prej 73 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 22.1 milionë lekë. Rreth 57% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i gjyqtarit, ndërsa 33% pagën e bashkëshortit. Të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e pronës në Himarë zënë 4% të totalit, ndërsa një vlerë e vogël është përfituar nga shitja e pasurive të patundshme.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq' që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat nuk rezultuan probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” marrëdhëniet e huasë që bashkëshorti i gjyqtares Veizi ka deklaruar ndër vite. Në vitin 2007, ai deklaronte se i kishte dhënë 400 mijë lekë hua nënës së tij, para këto të shlyera në vitin 2017. Ndërsa në vitin 2012, bashkëshorti i subjektit deklaron se i ka marrë 2 mijë euro borxh kunatit, ndërsa ia ka kthyer ato në vitin 2017.
Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë janë transaksionet bankare të kryera gjatë viteve 2010-2015 në llogarinë e së motrës, në cilësinë e personit të autorizuar.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al