Gjyqtari i gjykatës së Fierit Roland Hysi u dënua me 3 vjet burg dhe 5 vjet ndalim ushtrimi funksionesh publike, pasi i kërkoi një gruaje favore seksuale dhe para në këmbim të një vendimi të favorshëm për kujdestarinë e fëmijës.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e gjeti fajtorë, për korrupsion pasiv gjyqtarin e Fierit Roland Hysi, ndërsa njoftoi të enjten dënimin e tij me 4 vjet e 6 muaj burg të konvertuar në tre vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Sandër Simoni vendosi; “Deklarimin fajtor të të pandehurit Roland Hysi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal”. Hysi mund ta apelojë vendimin brenda 10 ditësh.
Gjykata po ashtu vendosi t’i ndalojë Hysit për pesë vjet të drejtën për të ushtruar funksione publike.
Gjyqtari i Gjykatës së Fierit, Roland Hysi u arrestua në janar të këtij viti së bashku me psikologen Elona Meçani pas publikimit të një videoje përgjimi kompromentuese që përfshinte ryshfet në para dhe favore seksuale. Në shtator prokuroria kishte kërkuar dënimin me 4 vjet burg për Hysin, ndërsa dosja për Meçanin u trasferua në Gjykatën e Fierit.
Hysi, ndaj të cilit ka po ashtu një vendim pezullimi nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë, u shfaq në biseda të siguruara nga emisioni Stop nëpërmjet kamerave të fshehta në ambientet e një lokali ndërsa i kërkon favore seksuale nënës së divorcuar. Në një rregjistrim tjetër shfaqet Meçani e cila i merr qytetares 500 euro në emër të gjyqtarit.
Ky është i disati rast i skandaleve me korrupsion në drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2016, gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo u vu nën hetim, u shkarkua dhe më pas u dënua pasi u denoncua nga një shtetase, e cila gjendej në gjyq divorci, por u shantazhua për të ofruar seks në këmbim të vendimit. Po në vitin 2016, një video tjetër përgjimi tregoi ish-gjyqtarin e Gjirokastrës Guximtar Boçi i cili gjithashtu kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor. Boçi u shkarkua nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por hetimi ndaj tij u pushua pa akuzë në vitin 2018.