![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/A699E2B4-D209-2C4B-850D-8E62F8A235E9.jpg)
Lideri i opozitës Lulzim Basha fajësoi qeverinë për vendimin e Këshillit Europian për moshapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, ndërsa kryeministri Edi Rama u shfajësua duke ia atribuuar dështimin problemeve të brendshme të BE-së.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/A699E2B4-D209-2C4B-850D-8E62F8A235E9-600x400.jpg)
Kreu i Partisë Demokratike dhe njëherazi lideri i opozitës, Lulzim Basha akuzoi të premten qeverinë se me keqqeverisjen e saj kishte krijuar një valë azilkërkuesish në BE, duke e shtyrë Francën të vendoste veton kundër hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Shqiptarët mbajnë numrin më të lartë të azilkërkuesve për frymë në botë,” deklaroi Basha. “Më shumë se sa afganët, më shumë se sa sirianët,” shtoi ai duke argumentuar se shqiptarët po largohen nga një vend që sipas tij, funksionon vetëm për Edi Ramën dhe bandën e tij të oligarkëve dhe kriminelëve.
Më herët në një konferencë për shtyp kryeministri Edi Rama i konsideroi dhjetëramijëra azilkërkuesit shqiptarë në BE si “emigrantë ekonomikë”, ndërsa nënvlerësoi problemin si diçka që ndodh në një botë të hapur.
“Procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë” deklaroi Rama. “Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces, kërkon reformimin e procesit të integrimit madje deri në pikën që të arrihet një tjetër objektiv; është e tepërt kur i shtohen bishta çështja thelbësore, jo po azilantët, jo po kjo e ajo,” tha Rama.
Samiti i Këshillit të BE-së u mblodh në Bruksel të enjten me një axhendë të ngjeshur dyditore ku u diskutua mes gjërave të tjera, për largimin e Britanisë nga BE, për situatën e krijuar nga sulmi i Turqisë në Siri, për buxhetin e përbashkët afatmesëm si dhe për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. [Link axhenda]
Në përfundim, shumica dërrmuese e vendeve të BE-së duket se mbështetën qëndrimin e Gjermanisë, që përfshin hapjen e bisedimeve me Maqedoninë dhe hapjen e bisedimeve me kushte me Shqipërinë, ku kushtet përfshijnë përfundimin e reformës në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta si dhe reformën elektorale.
Megjithatë, duket se Franca bashkë me disa vende të tjera Europiane refuzuan hapjen e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Ky ishte i disati rast i humbur për Shqipërinë, e cila pret hapjen e negociatave që nga viti 2014, kur mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Por edhe vetë brenda BE-së, mungesa e një sinjali pozitiv nga BE për Ballkanin Perëndimor ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e të gjithë procesit të zgjerimit.
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Johanes Hahn komentoi në Twitter pas samitit: “Udhëheqësit e BE-së dështuan të respektojnë angazhimin për të hapur bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është një çështje që sjell zhgënjim ekstrem. BE-ja tashmë duhet të sqarojë se sa serioze është në angazhimin e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor”.
Komisioni Europian në mënyrë të përsëritur gjatë dy viteve të fundit ka propozuar hapjen e bisedimeve me argumentin se të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, por shumë kritikë në parlamentet kombëtare të vendeve të ndryshme si Gjermania dhe Holanda, duket se shohin qëndrimin e Komisionit si një lloj advokimi në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut më shumë se sa si një vlerësim korrekt i progresit të këtyre vendeve.
Ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor mbetet në pikëpyetje.