Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masë sigurie me burg për Redjan Rrajan, i dyshuar se një nga pjesëmarrësit në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shoferit të tij Andi Maloku dhe personit me precedentë, Landi Muharremi, i njohur gjithashtu me emrin Aleksandër Laho.
Gjykata e Krimeve të Rënda e cilësoi të ligjshëm arrestimin e Redjan Rrajës – i dyshuar për atentatin e ndodhur më 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit në Durrës dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” gjatë një seance të mërkurën.
Rraja akuzohet për veprat penale të “Vrasjes së funksionarëve publikë”, “Vrasjes kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Redjan Rraja u arrestua më 5 nëntor, pasi grupi hetimor konstatoi një gjurmë papilare (gishtash) në një palë syze të gjetura në makinën e braktisur nga autorët e krimit, pas atentatit me kallashnikov ndaj makinës ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe personit me precedentë, Landi Muharremi, i njohur gjithashtu me emrin Aleksandër Laho. Të tre mbetën të plagosur.
“Klienti im tha se nuk ka lidhje me këtë ngjarje,” tha avokati i Rrajës, Besnik Çerekja. I pyetur mbi gjurmën e gishtit të gjetur në makinën e autorëve, Çerekja e pranoi gjetjen e kësaj prove.
“Prokuroria pretendon se ka gjetur një gjurmë te një send i gjetur te makina. Por nuk asnjë provë tjetër që implikon klientin tim,” shtoi ai.
Pas arrestimit të Rrajas policia bëri me dije se ishin gjetur edhe armët e përdorura në krim në makinën që dyshohet se u përdor nga autorët. “Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rraja është i afërm i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja dhe ka qenë edhe më herët i proceduar penalisht dhe është denoncuar në një rast publikisht nga ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu se e kishte kërcënuar për të mbyllur hetimet ndaj djalit të deputetit, i akuzuar për dhunimin e të dashurës.
Në një prononcim për një televizion mëngjesin e të martës deputeti i PS mohoi lidhjen e afërt me të arrestuarin. Ai tha se ata ishin kushurij të tretë nga babai dhe shtoi se fajtorët për atentatin duhej të dënoheshin maksimalisht.
Nga ana tjetër prokurori Arjan Ndoja i cili mbeti i plagosur në atentat, ishte vënë më herët në qendër të vëmendjes pasi u akuzua në fillim të tetorit nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula. Ndoja është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u rrëzuan nga Prokuroria.
Atentati ndërkohë ka hapur probleme të tjera për Ndojën. Vetë prokurori pranoi në një intervistë televizive se kishte pasur në makinë dokumente për dosje të tjera. Ai tha se kishte një zyrë konsulence ligjore. Deklarimet e tij dhe prania në makinë me të e një personi me precedentë penalë shtynë Këshillin e Lartë të Prokurorisë të kërkonte nga Prokuroria e Përgjithshme hetim disiplinor. Kjo e fundit njoftoi të mërkurën se kishte nisur verifikimin e deklaratave të Ndojës.