![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20191128_213309_281119_3_02-2_iSJYPZL.jpg)
Të dhënat paraprake të Ministrisë së Mbrojtjes sugjerojnë që mijëra qytetarë kanë mbetur të pastrehë pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Shqipërinë të martën.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/20191128_213309_281119_3_02-2_iSJYPZL-600x400.jpg)
Të dhënat paraprake të publikuara të premten nga qeveria tregojnë se më shumë së 4 mijë banorë e kanë të pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti 6.4 i shkallës Rihter që godite të martën Shqipërinë e Mesme.
“Në total, sipas vlerësimeve paraprake në terren janë mbi 4 mijë banorë që sot e kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre,” tha Ministria e Mbrojtjes, duke shtuar se ky numër pritet të ndryshojë në orët në vijim.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Mbrojtjes, deri të premten në mëngjes janë konfirmuar 48 viktima, ndërkohë grupet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në rrënojat e hotelit Miramare në Durrës, pasi dyshohet se një person tjetër mund të jetë nën rrënoja.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njofton se fluksi i personave të lënduar dhe traumatizuar ka vazhduar në spitale gjatë 24 orëve të fundit.
“Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar/ të traumatizuar si pasojë e tërmetit, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor,” tha Ministria e Shëndetësisë.
“Shkon në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit,” shtoi ajo.