Policia ka ndaluar një mbështetëse të Iranit, e cila në llogarinë e saj në Facebook bëri thirrje për “hakmarrje pa kufij” për vrasjen e kohëve të fundit të një gjenerali iranian nga forcat amerikane.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se njësia e tyre e antiterrorizmit arrestoi një grua të quajtur Ikballe Berisha-Huduti të martën pasi ajo bëri thirrje për hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Suleimani.
Ndër postimet e saj në Favebook përfshihej edhe një që e përshkruante hakmarrjen “si detyrim” që “nuk ka kufi”.
Më 4 janar, një ditë pasi forcat amerikane vranë gjeneralin iranian Qassem Suleimani në një sulm në Irak, Berisha-Huduti e dënoi këtë akt me anë të një postimi në Facebook.
Duke i përshkruar vrasësit si anëtarë të një “kombi kriminel”, ajo shkroi: “Duke vrarë të zotin e shtëpisë, keni vrarë të gjithë anëtarët e familjes dhe kështu që hakmarrja është një detyrim, por nuk ka kufij.”
Ajo më vonë e fshiu postimin kur ai u shpërnda gjithandej në Kosovë.
Megjithatë, të martën, kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, tha për BIRN se Berisha-Huduti ishte arrestuar për nxitje dhune.
“Vendosëm ta arrestonim atë të hënën për një akuzë penale, thirrjen e saj për hakmarrje, sepse ajo e bëri atë thirrje publikisht”, tha Isufaj.
Berisha-Huduti pritet të dalë para një gjyqtari të mërkurën ose të enjten. “Do të kërkojmë masa që garantojnë praninë e saj në procedurë”, tha kreu i Prokurorisë Speciale.
Bashkësia Islame e Kosovës, në një deklaratë të bërë të martën, mohoi që Berisha-Huduti të ketë punuar ndonjëherë për ta dhe shtoi se komentet e saj nuk duhej të shiheshin si islame.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se znj. Igballe Berisha- Huduti, asnjëherë nuk ka qenë punëtore e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe rrjedhimisht deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe as me interpretimin dhe mësimet tradicionalet të fesë islame të aplikuara ndër ne me shekuj.”
Berisha-Huduti është e njohur për shërbimet e sigurisë që nga viti 2015, kur një operacion policor bastisi OJQ të lidhura me Iranin, si pjesë e një strategjie për të luftuar ekstremizmin fetar.
Në vitin 2016, një organizatë islamike që ajo e kishte themeluar u mbyll, edhe pse nuk u ngrit asnjë akuzë. Ajo mbetej një mbështetëse e fortë e elementeve anti-amerikanë në Iran dhe ka një fotografi publike në llogarinë e saj në Facebook të ish-presidentit Mahmoud Ahmadinejad.