![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Policia-ne-Durres.jpg)
Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të mbyllë qarkullimin e pasagjerëve nga Shqipëria drejt Greqisë dhe anasjelltas nga ora 10 e ditës së nesërme ndërsa qarkullimi i mallrave do të vijojë normalisht.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Policia-ne-Durres-600x400.jpg)
Shqipëria duket se po shkon drejt izolimit total me vendet fqinje pas mbylljes së qarkullimit të pasagjerëve me Italinë, Malin e Zi e Kosovën ndërsa të Shtunën pritet të mbyllet qarkullimi i njerëzve me Greqinë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Facebook se nga mëngjesi i së Shtunës, ora 10, “mbyllen hyrje-daljet me Greqinë për udhëtarët e linjave të transportit ajror, detar dhe tokësor me autobus!”
Kryeministri nuk sqaroi nëse udhëtimi me automjete private do të lejohet apo jo.
Ai gjithsesi sqaroi se transporti i mallrave do të vijojë normalisht.
Rama deklaroi gjithashtu sot (e Premte) se ndalimi 72 orësh i shpallur të Enjten për qarkullimin e automjeteve private në Tiranë, Durrës e qytete të tjera të vendit mund të vijojë edhe ditën e Hënë ndërkohë që shpalli se natën mes të Dielës dhe të Hënës, policia do të lejojë një dritare qarkullimi për banorët e Tiranës dhe Durrësit që mund të dëshirojnë të kthehen në shtëpi nëse kanë qenë në qytete të tjera.
“Kush banon në Tiranë/Durrës dhe është aktualisht brenda perimetrit, të sigurohet që të mos planifikojë lëvizje jashtë perimetrit në fillimjavën e ardhshme (duke shfrytëzuar hapjen e rrugëve nga e Diela në mesnatë deri të Hënën në orën 8) sepse mund të mos rihyjë dot!” deklaroi Rama.
“Sipas të gjitha gjasave, perimetri RT/DR do të mbyllet përsëri!” shtoi ai.
Aktualisht në Shqipëri ka 33 persona të infektuar me COVID-19 të identifikuar pas kryerjes së disa qindra analizave të personave të dyshuar. Deri të Premten, pandemia ka shkaktuar një të vdekur.
Situata nëpër botë është përkeqësuar në mënyrë dramatike gjatë ditëve të fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaluan udhëtimet e joamerikanëve nga Europa (me përjashtim të Britanisë së Madhe) ndërsa në Britaninë e Madhe dyqanet u boshatisën nga mallrat ushqimore të domosdoshme nga qytetarët e shqetësuar se mund t’i nevojitet të qëndrojnë të izoluar për shumë ditë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli sot Europën si epiqendër të pandemisë ndërsa numri i viktimave të pandemisë arriti 5 mijë. Deri tani ka 132 mijë raste në 123 vende.