![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/I-semure-infektivi.jpg)
Shkon në 51 numri i personave të infektuar nga koronavirusi i ri në Shqipëri, ndërkohë që zbulohen edhe katër raste të reja pozitive në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi nëntë raste të reja me COVID-19 të hënën, duke e çuar në 51 numrin e të prekurve të konfirmuar në Shqipëri. Rastet e reja janë shënuar kryesisht në Tiranë ku numri i të prekurve ka arritur në 34, ndërkohë që edhe në Fier është konfirmuar një tjetër rast i ri.
Njëzet prej të prekurve ndodhen të shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë, ndërsa tre prej tyre gjenden në terapi intensive. Vetëm njëri prej të prekurve ndodhet në respiracion të drejtuar.
Zv.ministrja Rakacolli deklaroi gjithashtu se nga hetimi epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndoqi” kanë rezultuar pozitivë edhe 4 bluza të bardha, mes të cilëve një mjek dhe tre infermierë. Rastet e reja e çojnë në 7 numrin e mjekëve dhe infermierëve të infektuar me COVID-19 në Shqipëri.
“Nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion te stafet mjekësore. Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar,” shtoi Rakacolli.
Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje të gjithë personave që dyshojnë se janë të infektuar që t’u japin informacion të hollësishëm stafeve mjekësore.
“Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli mjekësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj,” shtoi Rakacolli.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i të infektuarve me COVID-19 në të gjithë botën arriti në mbi 153 mijë vetë të dielën në darkë, duke u rritur me gati 11 mijë raste brenda një dite.