![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/WhatsApp-Image-2020-03-20-at-20.18.12-1.jpeg)
Shqipëria shënoi numrin më të lartë të rasteve të reja të dielën, ku 13 persona rezultuan pozitivë nga 33 teste të kryera në 24 orët e fundit. Identifikohen në Korçë tre rastet e para.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/WhatsApp-Image-2020-03-20-at-20.18.12-1-579x400.jpeg)
Shqipëria shënoi numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19 të dielën, ku 13 persona rezultuan pozitivë nga 33 testime të kryera në 24 orët e fundit. Harta e zonave të prekura u zgjerua gjithashtu me Korçën, ku u identifikuan tre personat e parë të prekur nga koronavirusi.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha në një deklaratë për mediat të dielën se numri i personave të infektuar me COVID-19 në Shqipëri shkoi në 89.
Tirana vazhdon të mbajë numrin më të lartë me 8 raste të reja dhe 63 të prekur në total, ndërsa dy rastet e tjera të reja u zbuluan në Durrës dhe në Kavajë.
“Në spitalin Infektiv në Tiranë ndodhen 43 pacientë të shtruar, katër prej të cilëve në terapi intensive. Mosha mesatare e pacientëve të hospitalizuar është 54 vjeç,” tha Fico.
Shqipëria u fut zyrtarisht në hartën e vendeve të prekura nga koronavirusi më 9 mars dhe prej asaj dite ka shënuar rritje të moderuar të rasteve. Dy persona –një 73 vjeçare nga Durrësi dhe një 66-vjeçar nga Lushnja kanë humbur jetën, ndërsa tre pacientë konsiderohen të rekuperuar.
Prej fillimit të epidemisë, Instituti i Shëndetit Publik ka kryer 804 testime në total. Fico tha të dielën se po vazhdon identifikimi dhe testimi i kontakteve apo personave të dyshuar, si mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit në vend.
Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, qeveria ka përshkallëzuar masat e distancimit social duke vendosur shtet-rrethim të plotë përgjatë fundjavës në të gjithë territorin e vendit. Në javën në vazhdim, lëvizjet e kalimtarëve në rrugë do të lejohen nga ora 5:00 –13:00 të mesditës.