Qytetarët durrsakë shpresojnë se nderimet ndaj arkeologut që zbuloi amfiteatrin dhe la shenjën e tij në një pjesë të mirë qytetit do të rikthejnë vëmendjen te lashtësia që po dëmtohet, por institucionet e kulturës nuk i janë përgjigjur kërkesave.
Në verën e vitit 1970, kur punonjësit po pastronin shkallaret e amfiteatrit antik për vizitorët e parë, durrsakët kishin nisur të harronin se vetëm para pak vitesh askush nuk dinte asgjë mbi ekzistencën e monumentit më të madh që është zbuluar në vendin tonë.
Arkeologu Vangjel Toçi bashkë me të dhënat e pakta në dispozicion si dhe me dëshmitë e banorëve, i kishte besuar me intuitë pikës së zbulimit, siç do ta përkufizonte më vonë një nga kolegët e tij të huaj. Më pas kishte arritur të bindte autoritetet e kohës, të cilat në vitin 1966 udhëruan në pak javë prishjen e 33 shtëpive dhe transferimin e 50 familjeve, të cilat, pa e ditur, kishin banuar mbi një vepër monumentale 1900-vjeçare.
Ekspeditat verore të drejtuara nga Vangjel Toçi nxorrën në dritë galeritë dhe shkallaret, që për një gjysëm shekulli radhazi vazhdojnë të tërheqin në Durrës mijëra turistë vendas dhe të huaj.
Nevoja për të kujtuar bie në vesh të shurdhër
100 vjet pas lindjes së këtij qytetari të shquar, 11 tetor 1920, Durrësi po përpiqet ta rikthejë Vangjel Toçin në vemendjen e qytetit 3000-vjeçar, në rrugët e të cilit ai ka lënë gjurmë që nuk shlyhen dhe ku thuajse çdo fjë mund të lidhet me të.
Për të përkujtuar një grup arkeologësh dhe intelektualësh i kërkuan zyrtarisht Ministrisë së Kulturës që 2020 të shpallet “Viti mbarëkombëtar i arkeologjisë – Vangjel Toçi”. Por fillimisht për shkak të tërmetit të 26 nëntorit e më pas pandemisë së Covid-19 me kufizimet e saj, e bënë më të lehtë mungesën e përgjigjes.
Kujdesa e vetme këto ditë është e prej Muzeut Arkeologjik i cili ditët e fundit ka nisur të publikojë në rrjetin e tij social pjesë nga biografia e pasur e themeluesit dhe drejtorit të parë të tij.
Por kaq është shumë pak në raport me kontributin e Vangjel Toçit për evidentimin e historisë së qytetit të lashtë, ndërsa nevoja për kujtesë është më e madhe se kurrë ndonjëherë.
Gjatë 20 viteve të fundit nëntoka muze e Durrësit ka pësuar dëmtime të rënda e të pariparueshme, pasojë e babëzisë së ndërtimeve pa kriter dhe betonimit të hapësirave publike.
Qyteti që kishte vetëm 80 mijë banorë në fillim të viteve '90, tashmë është trefishuar me familje të ardhura nga rajone të ndryshme të vendit, të cilat ende dinë shumë pak për të kaluarën shumëshekullore të Durrësit.
Këto janë dy nga arsyet që argumentojnë kërkesën e arkeologëve dhe qytetarëve.
Propozuesit dhe qytetarët e hershëm durrsakë e shohin figurën e arkeologut Vangjel Toçi si një mundësi për të nënvizuar vlerat qytetare dhe profesionale, që vijnë nga përkushtimi, aftësia dhe ndershmëria.
Ata duan që Muzeu Arkeologjik të mbajë emrin e Toçit dhe po ashtu guidat turistike në sitet arkeologjike të qytetit të pagëzohen me emrin e tij. Për ta gjurmët që Toçi ka lënë në qytet janë të pashlyeshme dhe kujtesa e tij në këtë 100 vjetorë do duhej t'i sillte në vëmendje zbulimet që ashtu si “babai” i tyre janë harruar dhe një pjesë edhe dëmtuar e varrosur sërishmi.
Një jetë që ka lënë gjurmë
Sapo ishte kthyer nga Bolonja, ku ndërpreu studimet në degën e mjeksisë, djaloshi Toçi iu dha me mish e shpirt rizgjimit të kulturës në qytet. Bashkë me vëllimet që dhuruan mjaft qytetarë durrsakë, ai solli në bibliotekë librat e shtëpisë së tij.
Drejtori i parë i Bibliotekës, në vitin 1951 do të themelonte Muzeun Arkeologjik, godina e hershme gjysëm e rrënuar e të cilit edhe sot evokon ditët kur vizitorët sodisnin bashkë me objektet e ekspozuara në interierë, edhe monumentet e vendosura në Portikun e gjelbëruar të tij. Më pas edhe Galerinë e Arteve në qytet.
Në lulishten që shoqëron Shëtitoren bregdetare shquhen ende disa nga kolonat antike, të cilat u instaluan mbi bazën e projektit mbi Parkun Arkeologjik të paraqitur nga Vangjel Toçi në fillim të viteve 1970.
Pikërisht në këtë periudhë, drejtori largpamës i Muzeut Arkeologjik porosit figurat e dy gladiatorëve, që sipas tij do të vendoseshin në hyrje të Amfiteatrit të sapozbuluar. Veprat e skulptorit të mirënjohur Janaq Paço u ruajtën në Muze dhe kanë zënë vend jo larg objekteve arkeologjike të shëtitores, duke rikthyer edhe një herë atmosferën e mijëvjeçarëve të kaluar.
Në Durrës, janë të pakët njerëzit që e dijnë se salla dhe skena e teatrit “Aleksandër Moisiu” ndodhen mbi Termat antike të qytetit. Zbuluesi i Termave të shek.1-2 të erës sonë, i bindi projektuesit, se monumenti antik ishte njëlloj i rëndësishëm si teatri që ata kishin hartuar në letër.
Argumentet e Vangjel Toçit morrën miratimin e tyre dhe 2/3 e teatrit u ndërtuan mbi kolona, që jo vetëm bëheshin bazament i skenës, por krijonin kushte për vizitorët e Termave, dëshmitarë të shkëlqimit të qytetit në antikitet.
Në të njejtën lagje, Vangjel Toçi, ndjek me pasion të dhënat e shkruara nga arkeologu austriak Prashniker, i cili në vitet e Luftës së Parë Botërore kishte zbuluar gjatë gërmimeve të transheve ushtarake mozaikun e njohur në botën shkencore si “Bukuroshja e Durrësit”.
Vajza durrsake e vizatuar me guralecë 2300-vjeçarë bëhet e njohur nga Vangjel Toçi në vitin 1959, ndërsa pak vite më vonë ajo transferohet në kryeqytet, në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar.
Pas këtyre zbulimeve madhore qyteti i Durrësit nuk ishte më vetëm Epidamni apo Durrachiumi i dokumentave të shkruar nga autorët antikë. Brenda pak vitesh, atë e vizitojnë shkencëtarë dhe studiues të historisë dhe arkeologjisë nga Italia dhe Rumania, Hungaria dhe Franca, të cilët vlerësojnë zbulimet e shumta arkeologjike, duke nënvizuar se “Vangjel Toçi i ka falur arkeologjisë botërore një dhuratë të madhe”.
Lidhjet e qytetit me zbuluesin e palodhur forcohen dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë bëhen qytetarët e Durrësit, të cilët njoftonin për cdo objekt të vecantë “profesor Vangjelin”, titull me të cilin e kujtojnë edhe sot.
Projektet e mbetura në mes
Qindra djem dhe vajza që kanë lindur në vitet 1960 – 1970 e dinë se emrat e tyre me prejardhje ilire kanë lidhje me Vangjel Toçin. Nga zbulimet në Nekropolin e qytetit arkeologu i shquar evidentoi afro 300 emra ilirë, duke e vënë Durrësin në krye të qendrave të banuara ilire në të gjithë Ballkanin. Edhe objektet e tjerë të zbuluara prej tij janë pjesë e vyer e fondeve të Muzeut arkeologjik dhe vazhdojnë të jenë objekt studimi.
Në fillim të viteve ‘80 Vangjel Toçi u bë nismëtar i ndërtimit të Muzeut të ri arkeologjik të qytetit antik, vepër e cila përfundoi në vitin 2002.
Pasi doli në pension në vitin 1982 Profesor Vangjeli punoi me ngulm në fushën e onomastikës ilire, duke lënë një vepër ende të pabotuar prej mbi 20 mijë faqesh mbi etnogjenezën e popullit tone.
Qyteti i Durrësit u bë më i njohur ndërkombëtarisht, edhe falë dhjetra artikujve të shkruar në shtypin shkencor shqiptar nga Vangjel Toci, të cilëve u janë referuar studiues të njohur në shkallë botërore, si Carlo de Simone, Aleksandar Stipčević, Lui Rober e të tjerë.
Ai ishte 50 vjeç, kur falë punës së përbashkët me specialistët që drejtonte, Amfiteatri i Durrësit ishte shfaqur në madhështinë e tij pjesërisht, njëlloj siç ka mbetur edhe tani, një gjysëm shekulli më vonë.
Galeritë dhe shkallaret ku afro 20 shekuj më parë janë ulur bashkëqytetarët tanë, janë dëshmitarë okularë të punës që u bë katër vjet me radhë për të nxjerrë në dritë binjakun shqiptar të Koloseut.
Por, e ardhmja e monumentit të mrekullueshëm vazhdon të jetë peng i banesave që ndodhen mbi krahun jug-lindor, si dhe të zvarritjeve burokratike shtetërore për transferimin e tyre.
Emri i zbuluesit Toçi është një këmbanë kujtese për të ardhmen e Amfiteatrit, e cila duhet dëgjuar, njëlloj si për bibliotekën publike, që ndodhet ende në të njejtën godinë ku ai e themeloi në vitin 1945.