Me një urdhër të mbështetur në aktin normativ kundër koronavirusit, Inspektorati Shëndetësor Shtetëror gjobiti dy herë dhe urdhëroi mbylljen e televizionit Ora News për shkelje të kufizimeve të imponuara nga qeveria në kuadër të koronavirusit, një akt që ngriti menjëherë pikëpyetje mbi lirinë e shprehjes.
Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, një institucion pak i njohur deri më sot, ka ndërmarrë gjatë njëzet e katër orëve të fundit dy inspektime në kompaninë Ora News që menaxhon televizionin me të njëjtin emër, duke dalë të Premten me vendimin drastik për mbylljen e televizionit. Vendimi bazohet në të ashtuquajturin Akti Normativ nr. 3, një vendim i qeverisë së Kryeministrit Edi Rama për menaxhimin e situatës së pandemisë, ku kërkohet mes të tjerash, që televizionet të mos zhvillojnë emisione debati me më shumë se sa dy persona.
Në vendimin e parë, Ora News u gjobit me 1 milionë lekë për shkak se kishte pasur tre persona në studion e emisionit 360 Gradë ndërsa në vendimin e dytë urdhërohet mbyllja e aktivitetit përveç një gjobe të dytë me vlerë 1 milionë lekë të tjera.
Drejtuesit e televizionit akuzuan kryeministrin Edi Rama për sulm ndaj tyre për shkak të qëndrimeve kritike ndaj qeverisë të televizionit ndërsa politikanë të opozitës shprehën mbështetje.
Duke krahasuar situatën e fabrikave fason me atë të televizioneve, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vuri në dukje faktin që fabrikat nuk janë mbyllur nga qeveria dhe së paku tre prej tyre janë kthyer në vatra të përhapjes së koronavirusit, duke vënë në rrezik jetën e punëtorëve.
“RAMAVIRUSI infektoi dhjetëra vajza dhe nëna me COVID-19 sepse refuzon të mbyllë fasoneritë e të paguajë pagat e mbijetesës. Por kur vjen puna për të mbytur zërat kritikë si Sonila Meço, ai gjobit dhe mbyll median!”, deklaroi Basha.
Formularët e inspektimit që kanë zbuluar shkeljet e Ora News janë firmosur nga tre punonjëse të Inspektoratit mbi një formular tip vulosur me vulën dhe firmën e Areti Beruka, drejtoreshë e komanduar.
Ora News ka të drejtë të ankohet ndaj aktit të ekspertimit brenda një afati 30 ditor ndërsa nuk dihet nëse qeveria do të ndërhyjë me forcë për të imponuar urdhrin e mbylljes.