Një i dyshuar për vrasje të dyfishtë në Laç u arrestua në Tiranë të martën në një klinikë ku mjekohej për plagën e marrë në shkëmbim zjarri. Dy mjekë të një klinike private u arrestuan për moskallëzim krimi.
Një person që akuzohet nga policia e Lezhës si autori i vrasjes së dyfisht më 30 maj në Kurbin, u arrestua të hënën në një klinikë private në kryeqytet. Policia njoftoi se kishte ndaluar Eduart Lamaj 30 vjeç në operacionin e koduar “Klinika”.
Lamaj dyshohet si autor i vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 30 maj në Kurbin. Ngjarje në të cilën mbetën të vrarë me armë zjarri Paulin Gjergji dhe Bujar Lika si dhe u plagos Kreshnik Tusha. Operacioni i koduar “Klinika” u finalizua mbrëmjen e së hënës
Policia njoftoi se Lamaj u arrestua ndërsa po mjekohej në një klinike private në Tiranë, pasi ishte plagosur në këmbë nga shkëmbimi i zjarrit natën kur ndodhi ngjarja. Po gjatë operacionit sipas policisë u arrestuan edhe dy mjekë në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes. “Konkretisht shtetasit V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale”Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim dhe 3 persona të tjerë, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të saj”, njoftoi policia.
Policia tha se Lajmaj ishte identifikuar nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë dhe se ndërkohë ishin vënë në vëzhgim familjarët e tij, të cilët dy ditë më parë e kanë dërguar tek klinika private në Tiranë për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Biznesmenet Bujar Lika dhe Paulin Gjergji u ekzektuan më 30 maj, teksa po konsumonin kafe brenda ambjenteve të një hoteli në autostraden Milot-Mamurras pranë fshatit Gjorm të Kurbinit. Policia arrestoi pas ngjarjes Kreshnik Tushën që po ashtu ishte plagosur në shkëmbim zjarri. Lamaj që ishte indetifikuar ishte shpallur në kërkim.