Divergjencat në politikë të jashtme të kohëve të fundit kanë vënë në dallim interesat e ndryshme të dy anëtarëve më të fuqishëm të vendeve anëtare. Dhe edhe nëse Franca dhe Gjermania do të ecin ndonjëherë krah më krah, fakti që të 27 vendet anëtare duhet të veprojnë në unanimitet do të thotë se BE-ja nuk do të jetë kurrë një aktor strategjik.
Prej shumë dekadash, Franca dhe Gjermania janë njohur si dy manovratorët e Europës, e madje si motori udhëheqës i Europës, Bashkë ata kanë synuar të punojnë për të bashkuar kontinentin. Por, nëse vijojmë me metaforat, francezët duket sikur duan të përdornin bashkërisht një Euro-Porche të marrë me lizing, ndërsa Gjermania këmbëngul që të kursehet në shpenzimet për karburant. Ndërsa një listë e gjatë krizash janë shfaqur – nga Bjellorusia te Nagorno-Karabahku – të dy vendet kanë dëshmuar se nuk janë të të njëjtën rrugë.
Kjo nuk është surprizë. Siç e ka thënë Sigmar Gabriel, një ish-ministër i jashtëm i Gjermanisë, Franca dhe Gjermania “e shohin botën ndryshe” dhe për rrjedhojë kanë “interesa të ndryshme.” E vërteta është se divergjenca franko-gjermane është pothuajse po aq e vjetër sa edhe vetë Bashkimi Europian.
Kjo ndasi ngatërron udhëheqësit aktualë të Francës dhe Gjermanisë – Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelaren Angela Merkel – po aq shumë sa edhe paraardhësit e tyre të mëdhenj, Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer, që nga dita kur këta të dy kapën duart mbi Rin 60 vjet më parë. Ata kthyen dy armiq të lashtë në miq të besuar. Por shtetet nuk martohen. Ato i nënshtrohen interesave dhe jo njëri-tjetrit.
Kur dy fuqi janë kaq të lidhura bashkë, problemi që shfaqet gjithmonë është: kush udhëheq dhe kush ndjek nga pas? Hiperaktivi Macroon me siguri dëshiron që të drejtojë Europën (njësoj si, nëse themi të vërtetën, ka qenë për të gjithë paraardhësit e tij në pallatin Élysée). Ndërkohë, hijerënda Merkel vijon të theksojë prioritetet e Gjermanisë.
Ndasia aktuale është gjithashtu një problem personalitetesh. Nga pikëpamja e temperamentit, Macron është e kundërsa e Merkel. Ndërsa Macron kërkon patjetër vizibilitet, Merkeli është e njohur në shtëpi si Mutti (moma), lexo nga një tekst i mirëmenduar dhe është e kujdesshme.
Kjo reflektohet gjithashtu në politikën e jashtme. Që kur ajo fitoi presidencën më 2017, Macron ka flirtuar me sukses me presidentin e SHBA Donald Trump, atë të Rusisë Vladimir Putin dhe atë të Kinës Xi Jimping, pastaj është tërhequr e zhgënjyer nga që të tre. Franca thjeshtë nuk luan në këtë ligë. Në kontrast me këtë Merkel ka ruajtur një distancë nga Trump, Putin dhe Xi.
Macron ka shpallur gjithashtu “vdekjen mendore” të NATO-s, duke imituar përshkrimin që edhe Trump i bën aleancës di një gjë e dobët. Por kancelarja e Gjermanisë ka gjasa do të jetë e fundit që do të fikë dritat e selisë qendrore të aleancës në Bruksel. Në fund të fundit, NATO ka garantuar sigurinë e Gjermanisë që prej 70 vjetësh – dhe me një pazar të mirë.
Mosmarrëveshjet më të fundit mes Francës dhe Gjermanisë lidhen me Mesdheun lindor, ku Greqia dhe Turqia – që të dy anëtarë të NATO-s – kërcënuan të përplasen në lidhje me të drejtat e eksplorimit për gaz dhe naftë në ujëra të pretenduara nga të dy palët. Macroni me shpejtësi mori anën e Greqisë, duke dërguar anije dhe avionë luftë ndërsa premtoi armë. Muajin e kaluar, ai organizoi një samit në Korsikë me udhëheqësit e gjashtë shteteve të tjera mesdhetare anëtare të BE-së, për të krijuar një kundërpeshë ndaj Turqisë. Gjermania nuk mori pjesë.
Në vend të kësaj Merkel mërmërit mbi “marrëdhënien me shumë shtresa” me Turqinë, e cila duhet të “balancohet me kujdes.” Interesat e Gjermanisë janë të qarta: Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan po ruan kufirin e Turqisë me Sirinë kundër prurjeve të pakontrolluara të refugjatëve nga Lindja e Mesme të cilët do të nisen për në Gjermani nëse u jepet edhe shansi më i vogël. Provokoje atë dhe ai mund të hapë lumin e refugjatëve kurdo që të dëshirojë.
Pastaj është përplasja aktuale mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në lidhje me Nagorno-Karabakhun. Macron, Putin dhe Trump i kanë nxitur të dyja vendet të negociojnë menjëherë, ndërsa Erdoğan ka marrë anën e azerëve myslimanë kundër Armenisë kristiane. Gjermania, Gjithsesi,është vetëm “e alarmuar” për shkak se Merkel nuk ka mundësi të armiqësohet me Erdoğan.
Pasi një pjesë e madhe e Beirutit u rrafshia nga një shpërthim i tmerrshëm në gusht, Macroni iku menjëherë për në Liban, duke premtuar se do të organizojë një konferencë ndërkombëtare donatorësh pa u koordinuar me Merkelin. Franca, e cila kontrolloi Levantin pas Luftës së Parë Botërore, dëshiron të mbajë një këmbë atje për të ruajtur ndikimin e vet në rajon; Gjermania nuk ka interesa strategjike dhe në mënyrë instiktive është e tërhequr nga çdo gjë që mbart rrezikun e përshkallëzimit. Interesa të ndryshme, skema të ndryshme.
Gjermania ështe duke ndjekur gjithashtu politikën e mospërfshirjes në Libi, lufta civile e së cilës ka tërhequr Rusinë, Egjiptin, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Francën. Më e mira që Gjermania mund të bëjë në Lindjen e Mesme është të organizojë edhe një takim tjetër paqeje në Berlin, gjë që është bërë ves për Gjermaninë.
Kjo është vetëm një listë e shkurtër e dallimeve mes Francës dhe Gjermanisë në politikën e jashtme dhe i kërket muajve të fundit. Por kjo e konfirmon dallimin themelor mes tyre: Franca pëlqen të kërcejë menjëherë në mes, Gjermania pëlqen të tërhiqet pas. Merkel së fundmi shpalli “orën e Europës” në një “botë agresive.” Por nëse Franca dhe Gjermania nuk veprojnë bashkë, si munden të veprojnë bashkë të 25 anëtarët e tjerë?
Shkaku i pakapërcyeshëm për këtë është strukturor. Të njëzet e shtatë vendet anëtare nuk bëhen dot bashkë, qoftë në lidhje me Rusinë apo me Bjellorusinë, ku presidenti Aleksandr Lukashenko është i vendosur të asgjësojë lëvizjen për demokraci në vend. Kur të 27-ët u përpoqën të bëjnë sanksione të ashpra kundër Bjellorusisë, Qiproja e vockël refuzoi duke kushtëzuar mbështetjen e saj me penalizimin e Turqisë për eksplorimin e paligjshëm për gaz në Mesdhe.
Kjo ishte diçka që pritej. Qiproja është në praktikë një koloni ekonomike e Rusisë dhe Lukashenko është klient i Putinit. Pas disa javësh debatesh, Qiproja më në fund pranoi. BE-ja do të sanksionojë tashmë 40 zyrtarë të Bjellorusisë – një ndëshkim që nuk i shkakton ndonjë telash të madh Lukashenkos.
BE-ja është fuqia e dytë më e madhe e botës, para Kinës, dhe në letra ka po aq shumë ushtarë sa Shtetet e Bashkuara. Por pasuritë më vete nuk të bëjnë një aktor strategjik. Nëse do të ishte kështu, Zvicra do të ishte një fuqi e madhe.
Natyrisht, asnjë udhëheqës Euripian nuk do të ndalojë që foluri për të ardhmen e përbashkët Europiane. Por në rastin e BE-së, “bashkimi” është shpesh e kundërta e të qenit “agjenci,” kapaciteti për të vepruar si një e tërë. Një bllok me 27 shtete të detyruara të kenë unanimitet mbi çdo problem që anëtarët e quajnë me rëndësi thelbësore, nuk do të jetë kurrë një aktor strategjik, për shkak se ajjo do të udhëhiqet gjithmonë nga emëruesi më i vogël i përbashkët që mund të pranohet nga të gjithë.
Edhe nëse Franca dhe Gjermania do të fillojnë të ecin ndonjëherë krah më krah, të tjerët nuk do t’i ndjekin, për shkak se ata kanë frikë nga dominimi i dyshes. Së paku jo për aq kohë sa ata nuk bashkohen në një Shtetet e Bashkuara të Europës. Dhe deri në këtë pikë, vendet anëtare të BE-së nuk do të lënë kurrë çështjet me rëndësi strategjike në duart e shumicës së vendeve anëtare.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Europe’s Futile Search for Franco-German Leadership