![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Godina-e-Ministrisë-së-Financave.-13-Shkurt-2020-Tiranë.jpg)
Ndërsa ekonomia private duket se ka qenë në gjendje të rikuperojë shpejt, qeveria ka vijuar të shpenzojë si në kushte normale duke krijuar një deficit të lartë buxhetor.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Godina-e-Ministrisë-së-Financave.-13-Shkurt-2020-Tiranë-600x400.jpg)
Të dhënat indirekte mbi konsumin të matura nga të ardhurat e qeverisë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo nga të dhënat mbi importin e karburanteve sugjerojnë se gjatë muajit tetor, vendi pati një qarkullim ekonomik pothuajse të njëjtë me atë të tetorit 2019, kohë kur Shqipëria nuk ishte goditur nga kriza e dyfishtë e tërmetit të 26 nëntorit dhe e pandemisë së koronavirusit të ri.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat totale buxhetore ishin në tetor 39 miliardë lekë ose vetëm 2% më pak se sa në tetor 2019. Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili mat në mënyrë indirekte konsumin dhe qarkullimin ekonomik, ishin 13 miliardë lekë me një rritje të vockël prej 0.3% në krahasim me tetorin e vitit 2019.
Gjithashtu, importi i karburanteve, i cili është një mall i domosdoshëm për qarkullimin ekonomik në tërësi, shënoi një rritje modeste si dhjetëmujor, duke sinjalizuar dëme më të vogla në ekonomi nga sa pritej.
Ekonomia shqiptare u godit nga kriza e pandemisë me një rënie deri në 10% në muajt prill-qershor, muajt kryesorë të krizës. Ekonomia duket se ka qenë në gjendje të rimëkëmbet me shpejtësi.
Rikthimi i të ardhurave të buxhetit në nivelin e parakrizës ka ndodhur ndërkohë që disa sektorë kyçë të ekonomisë, të tillë si turizmi, i dëmtuar nga mbyllja e kufijve dhe nxjerrja e mineraleve që është goditur nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar, vijojnë të vuajnë pasojat e krizës.
Por ndërsa të ardhurat e buxhetit janë rimëkëmbur, qeveria dukshëm nuk ka ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të kufizuar shpenzimet. Kjo vërehet në veçanti te zëri i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes, të cilat, pavarësisht se administrata publike ka qenë pushim për muaj me radhë, këto shpenzime kanë rrjedhur njësoj si para pandemisë.