Pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile shqiptare deklarojnë mbështetje për protestat qytetare ndërsa konsiderojnë dhunën nga protestuesit si raste të izoluara dhe reagimin policor si disproporcional.
Organizatat e shoqërisë civile shprehën mirënjohje ndaj qytetarëve që morën pjesë në protestat e diitëve të fundit ndërsa cilësuan dhunën e ushtruar nga disa prej tyre si raste të kufizuara dhe dhunën policore ndaj protestuesve si disproporcionale. Organizatat kritikuan vendimin e Policisë së Shtetit për të mos lejuar protestat nën pretekstin e pandemisë së koronavirusit të ri dhe i bënë thirrje klasës politike të reflektojë mbi shkaqet më të thella që sollën protestat e të rinjve.
“Shqipëria ka nevojë për reagime qytetare sa herë cënohen të drejtat e njeriut, sa herë autoritetet ndërmarrin akte kundër tyre dhe sa herë liritë tona kushtetuese e ligjore vihen në diskutim apo sprovë,” thuhet në deklaratë.
“Protesta në demokraci është instrument i pazëvendësueshëm dhe ne duhet t’i shprehim mirënjohjen çdo qytetari të ndërgjegjshëm që e përdor këtë instrument në funksion të mbrojtjes së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut,” thuhet më tej në deklaratë.
Organizatat shprehin shqetësimin se ndalimet në masë dhe mbipopullimet e qelive të komisariateve të policisë në Shqipërinë qendrore rrezikojnë të shkaktojnë vatra të reja të përhapjes së koronavirusit të ri, i cili shkakton sëmundjen COVID-19.
Organizatat dënojnë “ushtrimin e dhunës fizike dhe psiqike ndaj protestuesve të shoqëruar, mosnjoftimin e prindërve/kujdestarëve për të shoqëruarit minorenë, marrjen e deklarimeve nga këta të fundit pa praninë e prindërve edhe/osë të avokatit, pengimin e mas-medias për të përmbushur detyrën e vet”.
Disa mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, morën pjesë në protestat e ndezura nga vrasja e 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga një oficer policie më 8 dhjetor. Qindra prej tyre u arrestuan ose u shoqëruan për në komisariate nga Policia e Shtetit, ndërsa protestat u përshkallëzuan në disa raste në dhunë ndaj policisë dhe sinjalistikës rrugore.
“Shqetësim paraqet qëndrimi mohues i qeverisë për problematikën serioze që shprehin protestuesit, sidmos ajo pjesë që duke qenë me moshë të re nuk janë votues të ndonjë force politike të caktuar, por që janë përfaqësues të një brezi që kërkon një Shqipëri të jetueshme, d.m.th që qeveriset më mirë, që krijon mundësi shkollimi dhe punësimi në vend, pa pasur nevojën e marrjes së rrugëve të botës,” shkruhet më tej në deklaratë.
Qeveria deri më tani i ka konsideruar protestuesit rrugeçër ndërsa mohon që vendi të ketë ndonjë problem më të madh si shkak për protestat.
Policia e Shtetit deklaroi të hënën se do të ndalojë të gjitha protestat duke i konsideruar protestat e fundit si “të degraduara”. Në Durrës, katër qytetarë u arrestuan të martën nën të njëjtin argument ndërsa Komisioneri i Lartë i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, kritikoi ashpër dhunën dispropocionale policore dhe vendimin për të ndaluar protestat në tërësi.
Lista e organizatave nënshkruese:
- Civil Rights Defenders
- Instituti i Studimeve Politike
- Keshilli Shqiptar i Medias
- Levizja Rinore Egjiptiane Rome
- Minority Right’s activist
- Qendra “Gratë në Shërbim Publik”/ WPS Albania
- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Femijëve në Shqipëri
- Qendra Res Publica
- Qendra Shqiptare per Kerkime Ekonomike
- Qendra TREJA
- Aleanca LGBT
- Qendra Zeri Integrimit
- Rrjeti i Profesionisteve te Rinj
- Useful to Albanian Women
- Shoqata “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” Ksamil