![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/unnamed-3.jpg)
Besimtarët në Lezhë kanë sfiduar frikën nga epidemia ndërsa u janë drejtuar kishave që prej mëngjesit. Ndërkohë Kisha njoftoi zhvillimin e meshave para orareve të ndalimit të lëvizjes.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/unnamed-3-533x400.jpg)
Besimi në Zot e ka nxjerrë Pjeter Laçin, 80 vjeç, nga shtëpia. Pavarësisht moshës dhe frikës nga COVID-19 ai thotë se nuk mund të mungojë në kishë në vigjilje të lindjes së Krishtit.
“Si shkak i virusit ka ardhur një kohë mjaft e vështirë, pasi ka rrezik vdekje. Unë jam i vjetër e normalisht që jam shumë i rriskuar nga kjo situatë. Dal vetëm të shkoj në kishë dhe mundohem të jem i kujdesshëm”, thotë burri.
Për shkak të kufizimit te lëvizjeve Dioqëza e Lezhës e Lezhës ka njoftuar se mesha e shenjtë në vigjilje të Krishlindjes në katedralen e “Shën Nikollës” do të mbahet dy herë në orët e pasdites të 24-dhjetorit nën masa anticovid.
“Njëra do të jetë në 17:00 dhe tjetra ne 18:30. Cermonitë fetare do të mbahen nën masa antikovid dhe për të shmangut grumbullimet e shumta të besimtareve kemi vendosur qe të mbajmë dy mesha të shenjta”, bën të ditur Dioqeza Lezhë.
80-vjeçari Laçi tregon se besimi i tij lidhet fort me një ngjarje kur ishte fëmijë. Në moshën 9-vjeçare i ka ikur goja dhe beson se është shëruar kur të afërmit e kanë çuar të viztojë “Shna Ndoun” në Laç. Që prej asaj kohe është besimtar i rregullt, madje edhe në këto kohë kur ritualet fetare janë kufizuar prej epidemisë së COVID-19.
Ndërkohë dhjetra besimtarë të tjerë si ai nxituan të vizitonin kishat dhe kryenin ritet që herët në mëngjes. Kishat në Lezhë hapën dyert dhe njerëzit hyjnë e dalin vazhdimisht.
“Situata është mjaft e vështirë si shkak i epidemisë dhe normalisht që Krishlindja po kremtohet në një mënyre të pazakontë, pasi në orën 20:30 duhet të mbyllemi brenda. Erdha tani paradite dhe qëndrova 1 orë në kishë u rrefeva tek prifti dhe u luta”, thotë Prena Gjoka një banore e Lezhës
Pavarësisht se masat i privojnë nga kremtimet normale, Kisha Katolikë dhe ajo Ortodokse, kanë pranuar masat e marra për parandalimin e epidemisë dhe në mesazhet për besimtarët e kanë kërkuar kujdes.
Ipeshkvijt katolikë të Shqipërisë në një letër për besimtarët bënë apel për solidaritet dhe guxim, ndërsa përshkruan situatën e rëndëuar të vendit. “Nga njëra anë pandemia me pasojat e saj rënduese, nga ana tjetër vrasjet, aksidentet, por edhe varfëria, papunësia dhe emigrimi, na kanë krijuar shpesh përshtypjen se gjendemi edhe ne në errësirë, në zgrip të një gremine e nuk dimë nga të shkojmë”, shkruhet në letër, ku ftohen besimtarët të shohin drejt dritës.
“Sot kjo dritë dëshmohet tashmë nga shumë njerëz, familjarë, mjekë, infermierë, personel spitalesh apo qendrash rehabilitimi që po kujdesen për shumë njerëz të sëmurë”, thuhet më tej aty.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Antastas Janullatos e cilësoi kremtimin pa shumë bujë të Krishtlindjeve si një mundësi për të shmangur “shfaqjet sipërfaqësore” që siç shkruan ai kanë “tjetërsuar kuptimin e vërtetë të kësaj të kremteje unike”.
“Do të kremtojmë me thjeshtësi, privim, por edhe me dhimbje për ata që ndërruan jetë të vetmuar dhe për sa mbijetuan mes hidhërimit dhe dëshpërimit, të torturuar nga vështirësi të shumëllojta”, shkruan Kryepeshkopi në mesazhin e tij për besimtarët.
Krishtlindjet nuk janë festa e parë fetare që kremteohet nën masa të ashpra sigurie. Më herët Pashkët dhe Bajrami u festuan po ashtu në kushte emergjence.