![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/WhatsApp-Image-2021-01-28-at-8.01.47-PM.jpeg)
Myslim Lika u qëllua me tre plumba dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital, ndërsa policia thotë se po heton të shkuarën e tij dhe të birit si motiv i mundshëm i ngjarjes.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/WhatsApp-Image-2021-01-28-at-8.01.47-PM-482x400.jpeg)
Një 60-vjeçar mbeti plagosur rëndë pas një atentati me armë zjarri në Mamurras, ndërsa kthehej nga furnerali i të motrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së enjtes, ndërsa objektiv i sulmit me armë ishte Myslim Lika, babai i Ilir Xhepaj (Lika) i arrestuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2020 në një lokal në autostradën Milot-Mamurras.
Sipas policisë 60-vjeçari Lika ka qenë duke lëvizur në këmbë, kur është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Nga të shtënat ai ka marrë tre plumba, dy në krah dhe një në krahëror dhe është shtruar në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Dëshmitarë thanë se Lika po kthehej nga ceremonia mortore e së motrës, e cila u vetëvra me armë gjahu dy ditë më parë. Menjëherë pas ngjarjes policia ngriti pika kontrolli dhe po kreh zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të cilët janë larguar me një automjet, ndërsa në zonë janë sekuestruar disa kamera sigurie, që mund të kënë filmuar lëvizjet e atentatorëve.
Lika është sipas policisë me precedetë penal dhe ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasje në vitin 2000. Hetimet janë përqendruar tek veprimtaria e tij dhe të birit, i cili krahas dyshimeve për përfshirje në vrasjen e biznesmeneve, rezulton të jetë dhe autor i një plagosje të ndodhur pak muaj më parë në Laç.