![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Otpad-u-rijeci-Bojani-scaled-e1614151373433-1280x720.jpg)
Mbetjet, pjesa më e madhe e tyre plastike, po grumbullohen në shtratin e detit Adriatik, me pasoja shkatërruese për jetën detare, komunitetet bregdetare dhe, për një kohë më të gjatë, ekonomitë e shteteve që lag Adriatiku, siç është Mali i Zi.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Otpad-u-rijeci-Bojani-scaled-e1614151373433-1280x720-600x338.jpg)
Gjatë viteve të kaluara, peshkatari malazes Ivo Knezeviç do të shihte sesi mbeturinat shfaqeshin në sipërfaqen e detit të hapur pas një ere të fortë juglindore që shkakton dallgë të mëdha në detin Adriatik. Tani jo më. “Tani plastika është kudo”, thotë ai.
“Ne përfundojmë duke ngrënë çdo qese plastike që nuk hidhet siç duhet”, tha 37-vjeçari nga qyteti i Ulqinit, afër kufirit të Malit të Zi me Shqipërinë. “Po vrasim veten.”
Dhe nuk janë vetëm në sipërfaqe.
“Zor se ka ndonjë vend më në shtatin e detit ku të mos kem parë mbeturina të hedhura”, tha Adi Karamanaga, një zhytës nga Ulqini. “Ka shumë grumbuj shishesh plastike, kanoçe, karrige dhe goma kamionësh.”
“Nuk mendoj se në det ka më ndonjë organizëm që nuk ka rënë në kontakt me plastikën”, tha 44-vjeçari për Qendrën për Gazetari Investigative të Malit të Zim CIN-CG, BIRN Mali i Zi dhe të përjavshmen Monitor.
Është pikërisht për shkak të sasisë së plastikës në të që Deti Adriatik u shpall një nga detet më të ndotur në Evropë pas pjesës verilindore të Mesdheut dhe Detit Kelt në një studim nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë të botuar në revistën Marine Pollution Bulletin.
Mbeturinat gjenerohen nga rreth katër milionë banorë që jetojnë përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe nga turistë që e gjashtëfishojnë këtë numër çdo verë.
Nga mbeturinat që përfundojnë në Mesdhe, sasia më e lartë për frymë – tetë kilogramë në vit – gjenerohet nga Mali i Zi, sipas Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN – me një efekt shkatërrues për mjedisin, rezervat e peshkut, komunitetet lokale dhe thirrjen e Malit të Zi për turistët nga të cilët varet ekonomia e vendit.
Aktivistja mjedisore Azra Vukoviç tha se plastika përbën 80-90 për qind të mbetjeve në Adriatik, duke përfshirë qese, gota, shishe dhe takëme plastike, “duke krijuar një problem të madh për organizmat që jetojnë në det, por edhe për ata në tokë”.
Bashkimi Evropian: Nuk ka progres
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Ekoloska-aktivistkinja-Azra-Vukovic-e1614090955135-600x336.jpg)
Pjesa më e madhe e mbeturinave arrin në bregdetin e Malit të Zi përmes lumit Bojana që rrjedh nga Liqeni i Shkodrës në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Problemi është në gjendjen e tij më të keqe gjatë shiut të parë të vjeshtës, kur përrenjtë dhe lumenjtë fillojnë të vërshojnë përsëri dhe sjellin mbeturinat e hedhura në rrjedhat e thara të ujit.
Në Malin e Zi, sipas të dhënave nga organizata Zero Ëaste Montenegro, çdo banor përdor mesatarisht dhe hedh më shumë se 600 qese plastike të pa riciklueshme çdo vit. Mali i Zi ka një popullsi prej rreth 620,000 banorësh.
“Pikërisht në zonën e Velika Plazas, në Ulqin, janë hartifikuar 22 deponi ilegale në të cilat, përveç mbeturinave të ndërtimit dhe atyre të mëdha, është gjetur edhe plastikë”, tha Vukoviç. “Kjo kërcënon të shkaktojë dëme të qëndrueshme në zhvillimin e turizmit në rivierën e Ulqinit.”
Në raportin më të fundit mbi progresin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, krahu ekzekutiv i bllokut, Komisioni, tha se vendi nuk ishte bërë asnjë progres në menaxhimin e mbeturinave.
Në vitin 2019, ministri i atëhershëm i Malit të Zi për zhvillim të qëndrueshëm dhe turizmit, Pavle Raduloviç, njoftoi një ndalim të përdorimit të qeseve plastike, por ai kurrë nuk hyri në fuqi. Raduloviç dha dorëheqjen në nëntor 2019 pasi u shfaq një video duke marrë ryshfet.
Ministria thotë se hartimi i një plani të ri shtetëror për menaxhimin e mbeturinave për periudhën 2021-2026 ndërsa miratohet një Ligji të ri mbi Menaxhimin e Mbetjeve është premtuar që nga fillimi i vitit 2020.
Sipas Kapitullit 27 të negociatave të pranimit të Malit të Zi në BE, vendi është zotuar të riciklojë 50 për qind të mbetjeve të tij plastike, letre, metali dhe qelqi deri në fund të vitit 2030. Ai gjithashtu planifikon të garantojë riciklimin e të paktën 70 për qind të mbeturinave jo të rrezikshme të ndërtimit, një kërkesë e vendosur nga BE-ja.
Mbetjet e plazhit thjesht “maja e ajsbergut”
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Dr-Pero-Tutman-e1614091091820-600x338.jpg)
Sipas hulumtimit të financuar nga BE-ja të kryer nga shkencëtarë nga vendet në kufi me detet Adriatik dhe Jon – Sllovenia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Greqia – ka mesatarisht 670 copa plastikë për kilometër katror në Adriatik, që përbën një dendësi relativisht të lartë.
Deri në 90 për qind përbëhen nga materiale artificiale, ndërsa analiza e një ton mbeturinash të gjetura në plazhe dhe në det tregon se më shumë se gjysma përbëhet nga plastikë, 30 për qind dru, 10 për qind metal dhe gjashtë për qind tekstile.
“Mbeturinat detare përfaqësojnë një nga kërcënimet më të mëdha për ekosistemin detar në Mesdhe me efekte mjedisore, ekonomike, të sigurisë, shëndetësore dhe kulturore”, tha Milica Mandiç, një bashkëpunëtore e vjetër shkencore në Institutin e Biologjisë Detare në qytetin bregdetar malazez të Kotorrit.
Mandiç përshkroi Adriatikun si një pellg gjysmë të mbyllur me rryma të dobëta dhe mbajtje të gjatë të masave të ujit, duke i bërë ujërat e tij të prekshëm nga ndotja e vazhdueshme. Gjiri i Kotorrit, i cili është vetëm pjesërisht i mbrojtur, është veçanërisht i kërcënuar, tha Mandiç.
Mbeturinat e gjetura në plazhe janë vetëm “maja e ajsbergut”, tha Mandiç për CIN-CG / BIRN / Monitor.
“Rreth 80 për qind e mbetjeve nën sipërfaqen e detit në Gjirin e Kotorrit burojnë nga toka”, tha Mandiç. “Është vlerësuar se në zonën e Gjirit të Kotorrit ka 160-250 kilogramë mbeturina për kilometër katror, dhe në zonën e detit të hapur të bregdetit malazez midis 40 dhe 80 kilogramë.”
“Ata që kanë më shumë faj për atë që është gjetur janë popullata lokale, turistët dhe, pjesërisht, menaxhimi joadekuat i mbetjeve në tokë.”
Dr. Pero Tutman i Institutit të Oqeanografisë dhe Peshkimit në qytetin kroat të Splitit tha se rreth 70 për qind e mbeturinave nga toka që arrin në det përfundon në shtratin e detit, duke u grumbulluar me vite përtej mundësive të njeriut.
“Këto sasi po rriten çdo vit dhe, edhe pse sasia e saktë nuk dihet, ato sigurisht që janë shqetësuese”, tha Tutman për CIN-CG / BIRN / Monitor.
“Efekti në organizmat detarë është kryesisht përmes ngatërrimit (për shembull, pajisje të humbura peshkimi, qese plastike etj.), pas së cilës ata e gëlltisin atë dhe më pas mbeturinat arrijnë në sistemin e tyre të tretjes”, tha ai. “Organizma më të mëdha detare, të tilla si gjitarët (fokat, delfinët dhe balenat) dhe breshkat, dhe pastaj zogjtë e detit janë veçanërisht të ekspozuar ndaj kësaj.”
Lidhja me kancerin
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Otpad-u-nasem-moru-2-e1614091356689-600x338.jpg)
Plastika në det nuk zhduket kurrë, thjesht shpërbëhet në copa më të vogla. Mikroplastikat – grimca plastike më të vogla se pesë milimetra – mund të gjenden në të gjitha speciet e organizmave detare. Problemi me mikroplastikat është se ato mund të thithin sasi të konsiderueshme metalesh të rënda, virusesh dhe bakteresh.
Në vitin 2013, si pjesë e projektit DeFishGear për të përmirësuar të dhënat për mbeturinat detare, u zbulua se shtatë në 10 peshq në Adriatik përmbajnë mikroplastikë.
Prania e nano grimcave në zemrat dhe trurin e njeriut ka qenë e lidhur me kancerin e trurit, ndërsa kërkimet në kafshë të egra dhe kafshë laboratorike kanë lidhur ekspozimin ndaj plastikës së vogël me infertilitetin, inflamacionin dhe kancerin, raportoi The Guardian në gusht 2020.
Në Institutin e Biologjisë Detare në Kotorr, u bë analiza e përmbajtjes së stomakut të disa llojeve të ndryshme të peshkut të rëndësishëm komercial – sardele, skumbri, barbuni dhe shojza.
“Pjesë mikroplastike më të mëdha se pesë milimetra u gjetën në të gjitha speciet e përmendura, në sasi më të mëdha ose më të vogla”, tha Mandiç. “Nga 235 mostra të përgjithshme të analizuara, mikroplastikat u gjetën në një të katërtën.”
Një nga speciet më të kërcënuara në Adriatik është breshka e detit. Studimi i botuar në revistën Current Biology sugjeron që qeset plastike vijnë aromë të mirë për breshkat për shkak të baktereve dhe algave që grumbullohen mbi to.
“Kërkimet e kryera deri në vitin 2011 treguan se, nga 54 breshka deti të ngordhura, mbetje u gjetën në sistemin e tretjes së 35 për qind të tyre”, tha Tutman. “Sa më shumë mbeturina të tilla të ketë, aq më shumë kërcënohen breshkat e detit.”
Mandiç tha se mungesa e veprimit në nivel shtetëor ishte shqetësuese.
“Nuk po bëhet shumë për të zgjidhur problemin”, tha ajo. “Nuk ka rregullore ligjore që kanë të bëjnë me çështjen e mbeturinave detare, por gjithashtu … ka fonde të pamjaftueshme kombëtare për studime themelore shkencore” për efektet e akumulimit të mbeturinave në shëndetin e organizmave detare dhe si pasojë të njerëzve.
Tutman tha se ishte jetike që, duke pasur parasysh që mbeturinat detare mund të përshkojnë distanca të mëdha, Mali i Zi të bashkojë forcat me kombet e Adriatikut në përpjekjen për të gjetur zgjidhje.
Në fillim të vitit 2018, në qytetin e Dubrovnikut në Kroaci, ministrat e mjedisit të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë ranë dakord “të forcojnë bashkëpunimin” dhe të përdorin fondet evropiane për të adresuar çështjen e mbeturinave detare në Adriatik. Por që nga ajo kohë është bërë shumë pak progres.
Në Malin e Zi, Kompania Publike për Menaxhimin e Pasurive Detare, një organ shtetëror, njoftoi në gusht 202 se qeveria po përgatiste një program monitorimi, duke përfshirë të mbetjet në det, “me synimin për të përmirësuar mjedisin e Detit Adriatik”.
“Rregulloret e reja ligjore duhet të sigurojnë përmirësim të dukshëm dhe efikasitet më të madh të bizneseve lokale të cilat janë përgjegjëse për mbledhjen dhe asgjësimin e mbeturinave, por gjithashtu zhvillim të mekanizmave në Malin e Zi për riciklimin e plastikës, qelqit, metalit dhe paketimeve të tjera, si dhe mekanizma për monitorim dhe reduktim të mbetjeve në prodhim, siç është ndalimi i produkteve plastike një përdorimshe”, tha Miljan Zivkoviç nga Kompania Publike.
“E gjithë kjo do të kontribuojë në reduktimin e mbeturinave në plazhe dhe zona të tjera publike.”
Karamanaga, zhytësi në Ulqin, tha se mjetet e jetesës ishin në rrezik:
“E gjithë kjo po minon në mënyrë të rrezikshme reputacionin e Malit të Zi si një destinacion i bukur turistik dhe detin tonë si një burim produktesh detare cilësore”, tha ai, “duke na rrezikuar ne dhe komunitetet tona lokale, që varemi shumë nga deti.”