![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/32459406_1973977782612224_1990257616986570752_n-e1626872318935.jpg)
Qeveria tha të mërkurën se do të bëjë pronë shtetërore kriporen e dikurshme pranë qytetit të Ulqinit, në mënyrë që të mbrojë një habitat të rëndësishëm për specie të rralla shpendësh siç janë pelikanët dhe flamengot.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/32459406_1973977782612224_1990257616986570752_n-e1626872318935-600x337.jpg)
Qeveria malazeze njoftoi të mërkurën se kriporja e braktisur në qytetin bregdetar të Ulqinit do të jenë pronë e shtetit në një lëvizje për të shpëtuar një habitat të rëndësishëm për rreth 250 specie zogjsh që jetojnë dhe ndërtojnë atje foletë e tyre.
Kryeministri Zdravko Krivokapiç tha se Këshilli i Projekteve të Privatizimit dhe Kapitalit i qeverisë hodhi poshtë kërkesën e kompanisë private të falimentuar të kripës Bajo Sekuliç për të drejtat e pronës në zonë.
“Toka me një sipërfaqe totale prej 14.5 kilometrash katrorë do të jetë pronë e përhershme shtetërore e Malit të Zi”, postoi Krivokapiç në Tëitter.
Kriporet u krijuan në vitet 1920 dhe ofruan një jetë më të mirë për punëtorët dhe zogjtë që ndërtuan foletë e tyre atje. E gjithë zona më vonë dikur i përkiste kompanisë shtetërore të kripës Bajo Sekulic, e cila u privatizua në 2002.
Pas falimentimit në 2012, mospompimi i ujit të ëmbël dhe pompimi i ujit të kripur vuri në rrezik habitatin e rreth 250 specieve të zogjve, duke përfshirë specie të shumta të rralla të tilla si pelikanët dhe flamengot dhe lejlekët.
Në vitin 2014, u hartua një plan për të kthyer pothuajse 15 kilometra katrorë të kripores në një kompleks turistik me hotele dhe fusha golfi.
Ish-qeveria e miratoi këtë plan, por ndryshoi mendim pas një ndërhyrjeje nga ambasadorët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë të cilët kërkuan ringjalljen e biodiversitetit të zonës, e cila kërkon që kriporet e Ulqinit të vihen përsëri në punë. Ata madje thanë se çështja mund të rrezikonte reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi dhe negociatat e tij të pranimit në BE.
Pas disa muajsh presion nga komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat mjedisore, Parqet Kombëtare dhe bordi i administratorëve të kriporeve në vitin 2015 nënshkruan një kontratë një vjeçare me të cilën shteti është i detyruar të mbrojë mjedisin dhe biodiversitetin e tij.
Në qershor 2019, komuna e shpalli kriporen e Ulqinit një park natyror, i cili në shtator 2019 u përfshi gjithashtu në listën Ramsar, duke e shpallur atë një zonë me rëndësi ndërkombëtare.
Progres raporti i Komisionit Evropian në vitin 2020 vlerësoi zhvillimin në kapitullin 27 të bisedimeve të pranimit të vendit mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Kriporja është një zonë e rëndësishme për lloje të ndryshme zogjsh dhe foletë e tyre, të cilët kalojnë dimrin në bregun lindor të Adriatikut. Kjo zonë ka statusin IBA, Zonë e Rëndësishme për Zogjtë.