![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Policia-ne-Saraje-.jpg)
Agjencia Shtetërore për Shpronësim nis me urgjencë procedurën e shpronësimit të “Banesës së Toptanasve” dhe “Sarajeve të Libohovitëve” për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit të deklaruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj për t’i kthyer në muze.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Policia-ne-Saraje--533x400.jpg)
Tre ditë pas tentativës së djegies së monumentit të kulturës në qendër të Tiranës, i njohur si “Sarajet e Toptanasve” si dhe pas deklaratës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se ky objekt do të shpronësohej për t’u kthyer në muze, ka nisur zyrtarisht edhe procedura e shpronësimit.
Agjencia Shtetërore për Shpronësim shpalli të premten në Fletoren Zyrtare kërkesën për shpronësim për interes publik të pasurive private që preken nga restaurimi i “Banesa e Toptanasve”, Muzeu Etnografik i Tiranës si dhe “Sarajet e Libohovitëve”, me vlerë paraprake shpronësimi respektivisht në 178.6 milionë lekë dhe 505.8 milionë lekë.
Në kërkesën që mban datën 19 gusht, thuhet se subjekti kërkues i këtij projekti është Bashkia e Tiranë.
Agjencia Shtetërore për Shpronësim sqaron se me anë të këtyre publikimeve kërkon të vërë në dijeni pronarët e këtyre pasurive, të cilat do të preken nga shpronësimi.
Mbrëmjen e 16 gushtit, godina e quajtur “Sarajet” në rrugën “Abdi Toptani” në Tiranë, një ndër të paktët monumente të kulturës të mbijetuara në kryeqytet, u përfshinë nga flakët duke shkaktuar dëme materiale.
Videot e flakëve brenda godinës bënë xhiro në rrjetet sociale mesnatën e së hënës dhe shkaktuan zemërim. Flakët u shuan më pas nga zjarrfikëset, duke bërë të mundur ndalimin e djegies së godinës, një pjesë e së cilës është e ndërtuar me materiale druri.
“Sarajet” u ndërtuan rreth viteve 1830-1840 nga familja Toptani dhe është një ndër godinat më të vjetra në Tiranë, e shpallur monument kulture në vitin 1973. Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, aty ishte vendosur Legata e Shteteve të Bashkuara. Pas viteve ’90, prona ka kaluar nëpër një kalvar gjyqësor përpara se t’u kthehej pronarëve.
Publikimi i videove që tregonin avancimin e flakëve brenda godinës ngjallën spekulime në rrjetet sociale se monumenti i kulturës po digjej gjithashtu për t’u zëvendësuar nga një kullë shumëkatëshe.
Por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzoi pronarët e ligjshëm se përmes zjarrvënies së qëllimshme po tentonin të ndalonin planet e bashkisë për shpronësimin e “Sarajeve” dhe kthimin e tyre në muze.
Zjarrvënia te “Sarajet” po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, me dyshimin se akti ka qenë i qëllimshëm.