![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Komisioni-i-sigurise.jpg)
Dy nisma të ngjashme në thelb që synojnë krijimin e një regjistri kombëtar për të dënuarit për krime seksuale kanë nisur diskutimin në komisionet parlamentare. Nisma e shoqërisë civile, e firmosur nga 22 mijë zgjedhës dhe ajo e deputetes Erisa Xhixho do të shkrihen në një projektligj të përbashkët.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Komisioni-i-sigurise-600x400.jpg)
Komisioni parlamentar i Sigurisë miratoi të martën në parim dy nisma ligjore që synojnë krijimin e regjistrit kombëtar të të dënuarve për krime seksuale. Njëri projektligj mbërriti në Kuvend nga organizatat e shoqërisë civile; qendra “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” si dhe Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, i mbështetur gjithashtu nga 22 mijë zgjedhës.
Projektligji i dytë është depozituar nga deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho.
Ejnxh Pepa nga “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza” tha para komisionit se projektligji synon krijimin e një mekanizmi ligjor efektiv për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime të mundshme të dhunës seksuale.
Regjistri kombëtar do të mundësojë sipas saj identifikimin e vendodhjes së të dënuarve për krime seksuale si dhe monitorimin e tyre.
Ndërsa deputetja Xhixho tha se ka një vakuum ligjor në këtë drejtim dhe se është domosdoshmëri krijimi i një regjistri të tillë, duke pasur paarsysh dhe rastet në rritje të krimeve seksuale, kryesisht të pedofilisë.
“Vetëm në Tiranë kemi mbi 50 të dënuar për pedofili, që janë të lirë jashtë monitorimit të policisë,” tha Xhixho.
Të dyja nismat janë të ngjashme në qëllimin kryesor për monitorimin e të dënuarve për krime seksuale dhe synimin për të parandaluar këto krime. Nismat ndryshojnë lidhur me mënyrën e aksesimit në regjistër, nëse ai do të jetë i hapur për publikun e gjerë apo vetëm për organet ligjzbatuese.
Nisma e zgjedhësve parashikon që regjistri të jetë i aksesueshëm për komunitetin, që çdokush që kërkon të dijë nëse në lagjen ku jeton ka një banor të dënuar për krime seksuale ta mësojë këtë. Për organizatat e shoqërisë civile, aksesi i publikut do të bënte të mundur monitorimin e këtyre personave dhe parandalimin e krimeve të kësaj natyre.
“Duke qenë publik, i japim mundësi komunitetit që të bëhet bashkëpunues në monitorimin e këtyre personave dhe të rrisim sigurinë publike,” tha Pepa, duke konsideruar me rëndësi rolin e shoqërisë civile në ndërgjegjësimin e komunitetit në këtë drejtim.
Ndërsa nisma e Xhixhos parashikon që regjistri të jetë i aksesueshëm nga organet e pushtetit vendor dhe institucionet arsimore, por jo nga publiku. “Kemi marrë modelin e Bashkimit Europian dhe Gjykatës së Strasburgut,” tha ajo, duke shtuar se në një shoqëri si e jona që ka “qasje të fortë ndaj dhunës, duhet të kemi kujdes të mos krijojmë më shumë urrejtje në shoqëri”. Po, ajo theksoi se ky ndryshim mes nismave nuk e afekton qëllimin primar dhe për të personalisht “nuk kishte asnjë problem” bërja publike e emrave të të dënuarve për krime seksuale”.
Relatorja Antoneta Dhima e konsideroi të domosdoshëm një projektligj të tillë, duke marrë parasysh fenomenin në rritje të krimeve me natyrë seksuale. “Në vitin 2020 ka 112 dënime për krime të tilla, ndërsa unë mendoj se numri i këtyre krimeve është akoma më i lartë, sepse një pjesë nuk raportohen për shkak të mentalitetit që ekziston,” tha ajo.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë parashikohet të jetë përgjegjëse për ndërtimin e këtij regjistri, por për hartimin e tij do të bashkëpunojnë gjykatat dhe drejtoritë e burgjeve. Synimi i tij është që të dënuarit për krime seksuale të jenë pjesë e këtij regjistri nga 5 deri në 30 vite pasi kanë mbaruar dënimin, në varësi të llojit të dënimit që kanë marrë.
Për këta persona parashikohet monitorimi i vazhdueshëm nga policia dhe kufizime për punësimin e tyre, duke iu ndaluar për shembull punësimin në vende ku ka fëmijë apo persona me aftësi të kufizuara mendore.
Në fund, komisioni miratoi dy nismat ligjore në parim, të cilat do të kthehen në një projektligj të vetëm gjatë diskutimeve në komisionet përkatëse parlamentare.