Tre kandidatët e propozuar nga Këshilli i Ministrave, sipas klasifikimit të pikëve gjatë procesit të kualifikimit, prezantuan veten dhe arsyet e kandidimit për anëtar në Komisionin e Prokurimit Publik, para se ky komision të përzgjedhë mes tyre emrat që do të kalojnë për votim në seancë plenare.
Tre kandidatët vinin nga një përvojë pune në prokurorimet publike, ndërsa deputetë të opozitës ngritën shqetësimin se në prokurimet publike janë përqëndruar tenderat në pak duar.
Kandidatja e vlerësuar me më shumë pikë nga Këshilli i Ministrave ishte Nertila Mihali, e cila prej qershorit 2020 mban detyrën e drejtoreshës së zhvillimit të prokurimeve në Agjencinë e Blerjeve të Përqendrura, ku zhvillohen kryesisht tenderat për nevojat e institucioneve publike.
Mihali tha se gjatë përvojës së gjatë në fushën e prokurimeve kishte synuar të zhvillonte tendera që nuk kapnin shifrën limit të fondit të caktuar. Ajo tha se e njihte funksioninim e KPP dhe se e cilësonte si një arritje kulmore profesionale zgjedhjen si anëtare e këtij institucioni.
Deputeti Oerd Bylykbashi vuri në dukje se “tenderat po shkojnë në duart e pak kompanive” dhe e pyeti Mihalin se “si do e përballoni presionin nga ekzekutivi apo marrëdhëniet klienteliste të kompanive me ekzekutivin”.
Kandidatja i cilësoi të pavërteta konstatimet e deputetit. “Nuk mund ta konsideroj të vërtetë që është ulur konkurrenca dhe aty ku jam unë nuk ka tendera që shkojnë në fondin limit”- tha ajo. Ndërsa në lidhje me presionet e mundshme shtoi se nuk i kishte ndodhur më parë një situatë e tillë dhe shpresonte se nuk do t'i ndodhte.
Kandidati tjetër Bledar Cengu vinte nga një përvojë pune në prokurimet publike të Bashkisë Kukës dhe foli për ndryshimet që ka sjellë ligji i ri në prokurorimet publike.
Kandidati i tretë Gjergji Mersini, po ashtu kishte një përvojë në prokurimet e pushtetit vendor, si drejtues prokurimesh në bashkinë Vorë.
“KPP duhet të rrisë efikasitetin me shqyrtimin e ankesave të operatoërë ekonomikë dhe nëpërmjet dixhitalizimit të sistemit të rrisë trasparencën”- tha ai para komisionit.
Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, njoftoi se komisiioni do të vlerësonte kandidatët në një mbledhje të mëvonshme dhe do të vendoste sipas ligjit që sipas plotësimit të kritereve t'i dërgojë seancës plenare 1 ose disa kandidatë.