![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2023/10/Autoambulance-gjate-nje-urgjence-ne-Durres.-Foto-kortezie-Geri-Emiri-scaled.jpg)
Një 35 vjeçar humbi jetën në mënyrë aksidentale këtë të premte në Durrës, teksa po punonte në zonën e Plazhit. Policia e Durrësit sqaroi në njoftimin për median se burri ishte duke punuar për prerjen e degëve të pemëve në lagjen numër 13 dhe ndodhej në koshin e një vinçi që shërben për punime në lartësi, në momentin e aksidentit.
35 vjeçari me iniciale A. L. ishte i punësuar në kompaninë që po kryen punimet për ndërtimin e shëtitores në Plazhin e Durrësit. Përgjatë së premtes, kushtet atmosferike në bregdetin e Durrësit kanë qenë të mbizotëruara nga era e fortë dhe moti me vranësira.
Policia shpjegoi se së bashku me prokurorinë po punon për zbardhjen e ngjarjes, ku humbi jetën punëtori në shëtitoren e Plazhit të Durrësit.