![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/03/Elda-Vrioni-1.jpg)
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 20 mars vendimin për konfirmimin në deryrë të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Elda Vrioni. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhkatari, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin. Gjatë seancës dëgjimore më 19 mars, nuk u evidentuan probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit. Pas relatimit të gjetjeve të hetimit administrativ, Vrioni u shpreh dakord me konstatimet pozitive për pasurinë dhe figurën dhe dha shpjegime për disa çështje në aspektin profesional. Elda Vrioni e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si gjyqtare pranë Gjykatës së Fierit. Vrioni punoi si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2007-2010 dhe u rikthye si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2013, kur u emërua gjyqtare e Gjykatës Administrative të Tiranës.