Këshilli i Ministrave vendosi të enjten që të kalojë në pronësi të shtetit sistemin e pullave fiskale pas një periudhe 14-vjeçare që ky shërbim ishte dhënë me koncension.
Vendimi parashikon që nga data 1 janar 2025 do të autorizohet shoqëria shtetërore “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., pёr prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale dhe se ministria e Financave i kalon pa pagesë kësaj shoqërie të gjitha të dhënat dhe aktivet, të marra në dorëzim nga koncesionari.
Për t'i paraprirë marrjes në dorëzim të këtij shërbimi, qeveria po planifikon dhe ndryshime në ligjin për akcizat, ku propozohet që prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale të kryhet nga një person i autorizuar nga Këshilli i Ministrave.
“Për efekt të rëndësisë që kanë elementët e sigurisë së pullave fiskale propozohet që këta elementë të përcaktohen me VKM,” thuhet në relacionin e projektligjit.
Ndërsa procedura e porositjes së pullave fiskale mbetet e njëjtë, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do t'i paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave.
Konfederata e Industrisë përshëndeti vendimin për rikthimin në pronësi shtetërore të këtij sistemi, por kërkon ulje të çmimit të tyre me të paktën 5 herë nga vlera e sotme.
“Koncesioni privat i pullave të akcizës i ka kushtuar afër 150 milionw euro kosto të paarsyeshme shtesë ekonomisë, bizneseve dhe qytetarëve shqiptare dhe pa asnjë ndikim të prekshëm në arritjen e qëllimit të dhënies së saj,”thuhet në njoftim për shtyp të Konfidustrisë .
Kontrata u nënshkrua në vitin 2010 mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë SICPA me një afat 10-vjeçar, afat i cili u llogarit deri në shkurt 2023 me arsyetimin se nuk ishte përmbushur një nga detyrimet e qeverisë për të përdorur edhe pullat për produktet farmaceutike.
Vitin që shkoi qeveria negocioi në mënyrë private me kompaninë konçensionare dhe kërkoi në kuvend miratimin e një shtese kontrate, ku koncesionari heq dorë nga pretendime të tjerandaj qeverisë me kushtin që kontrata ekzistuese të shtyhej deri në dhjetor 2024.
Kompania SICPA pati një kapital themeltar prej 6.8 milionë lekësh (më pak se 60 mijë euro) kur ajo u themelua në vitin 2010. Në vitin 2021, kompania pati të ardhura në nivelin 8.2 milionë euro dhe fitime në masën 1.5 milionë euro. Fitimet neto vjetore ishin 25 herë më të larta se sa kapitali themeltar.
Shqiptarët i paguajnë pullat fiskale të SICPA-s kur blejnë produkte akcize, të tilla si cigare, birrë apo verë. Kostoja e këtyre pullave është dhjetëfish më e lartë se sa ka qenë para hyrjes në fuqi të këtij koncesioni. Qeveria e atëhershme pretendoi se investimi do të sillte rritje të të ardhurave buxhetore përmes lehtësimit të luftës kundër kontrabandës me mallrat e akcizës. Në fakt, importi i taksueshëm i cigareve ishte mbi 4 mijë tonë në vit para kësaj kontrate dhe ka rënë në 2500-3000 tonë në vit gjatë dekadës së fundit.