![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/spak2.jpg)
Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën se kishte vendosur në sekuestro pasuri me vlerë 3 milion euro në pronësi të Oltion Bistri, ish- shefi i Drejtorisë së Forcës Operacionale, i arrestuar më herët me akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale dhe familjarëve të tij.
Bistri, i cili u arrestua në korrik të vitit që shkoi në atë që njihet si operacioni “Metamorfoza”, akuzohet nga SPAK se është përfshirë në veprimtari kriminale që prej vitit 2016 dhe se pasuria e vënë i përket kësaj veprimtarie.
“Duke qenë se ndaj shtetasit Oltian Bistri ka pasur indice që në vitin 2016 për përfshirje në veprimtari kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal nr. 09, të vitit 2023, të Prokurorisë së Posaçme, është marrë i pandehur për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Prokuroria thotë se Bistri është subjekti i ligjit “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” dhe për këtë pasuritë e tij dhe të personave të lidhur janë vënë në sekuestro.
“Ndaj shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, prej të cilave kanë rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej tij dhe familjarëve të tij”, thuhet në njoftim, ndërsa renditen një listë me pasuri, përfshi 22 njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 apartamente; 1 vilë në rezidencën “Green Valley”, 200 metra truall në kryeqytet, një garazh dhe një makinë.
“Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro”, bën me dije SPAK.
Bistri u arrestua sëbashku me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-zyrtarin tjetër të policisë Ardit Hasanbega dhe prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita. Në të njëjtin operacion, i cili u zbatua me bashkëpunim nga Europol, Eurojust, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe agjencitë ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze u arrestuan edhe 13 persona të tjerë.
Anëtarët e grupit akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikësh, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.