Pas takimit, Rama e Cameron mbajtën nga një deklaratë për mediat, pa pranuar pyetje nga gazetarët, ku shprehën vlerësimet dypalëshe për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve.
Cameron e cilësoi partneritetin me Shqipërinë si “një nga partneritetet më të frytshme dhe më pozitive” dhe shprehu kënaqësinë për rezultatet e arritura në luftën kundër migracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë, një çështje kjo sensitive prej vitesh mes dy vendeve.
“Ka qenë një partneritet vërtet i mrekullueshëm, shumë pozitiv , shumë i arrirë dhe shpresoj të jetë shembull edhe për të tjerët, sepse në të gjithë Europën problemi i migracionit të parregullt është një problem që haset nga të gjithë dhe siç u kam thënë edhe ministrave të tjerë të jashtëm është një problem me të cilin duhet ta përballoni ju, përndryshe në rastin e Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar ju keni treguar se jeni novator, jeni krijues dhe punoni për këto partneritete të forta dhe në saj të kësaj pune arrini rezultate të shkëlqyera,” iu drejtua ai Ramës.
Nga ana e tij Rama pranoi se në takim mes tyre ishte folur për “projektin apo programin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore”. Ai tha se të dy ishin të kënaqur me rezultatet e arritura dhe se operacioni i përbashkët do të vazhdojë.
“…Gjë që natyrisht lidhet edhe me vullnetin e përbashkët për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni që pa diskutim ka të bëjë me rrjetet e krimit të organizuar”- shtoi ai.
Rama njoftoi se Britania synon të jetë më e pranishme në rajonin e Ballkanit duke e lidhur këtë me përfshirjen financiare në projektin strategjik të hekurudhës Durrës– Prishtinë, e cila sipas tij, lidhet dhe me ngritjen e portit të ri tregëtar të Durrësit.
Sekretari britanik pohoi interesin për të nbështetur projektin në fjalë dhe shtoi gjithashtu se dy vendet po punonin bashkë në kuadër të aleancës së NATO-s për të mundësuar anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.
Emigracioni i paligjshëm nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe përmes kanalit të La Manshit pati një shpërthimi verën e vitit 2022.
Të dhënat nga institucionet Britanike lajmëronin në atë kohë se se 35% e 44 mijë njerëzve që u kapën duke kaluar kanalin detar me gomone ishin shqiptarë.
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar ngritën në fund të 2022 një grup pune për të adresuar problematikën dhe u angazhuan në zbatimin rigoroz të marrëveshjeve të ripranimit të nënshkruara.