![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/05/Dumani-kuvend-.jpg)
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, raportoi për gati pesë orë përpara deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë të mërkurën, ku mbrojti punën e institucionit që drejton si të pavarur dhe të pandikuar nga politika.
Dumani sugjeroi gjithashtu që Kuvendi të shihte mundësinë e ndryshimeve kushtetuese në lidhje me kufizimin e mandatit të prokurorëve të SPAK, duke u dhënë atyre mundësinë që të rikandidonin për një mandat tjetër.
Kreu i SPAK e argumentoi kërkesën me nevojën për vazhdimësinë e rezultateve, hetimit të çështjeve dhe një garanci për standardet e institucionit dhe jo si një shqetësim për karrierën e tyre.
“Çështja duhet të trajtohet në kuadër të vazhdimësisë së institucionit,“ tha Dumani, duke shtuar se “kudo që ka mandat nuk ka liri, qëndrueshmëri në rezultate”.
Sipas Dumanit, një prokurori që është ne mes të një hetimi të rëndësishëm i ndërpritet puna në mes me mbarimin e mandatit dhe efektiviteti i punës së vetë strukturës, marrëdhënieve të krijuara me agjenci të huaja, etj..
Raportimi vjetor i kreut të SPAK vjen në një kohë kur Kuvendi pritet të ngrejë një komision të posaçëm anti-korrupsion, sipas një rezolute të propozuar nga mazhoranca, i cilësuar dhe si një komision që mund të prekë reformën në drejtësi.
I pyetur për këtë, Dumani tha se “mbrojtja e pavarësisë institucionale dhe siguria juridike duhet të udhëheqë çdo reformë’’.
Dumani raportoi për punën e institucionit gjatë vitit 2023 në raport me zbatimin e rekomandimeve të lënë nga Kuvendi, ku ringriti shqetësimet e tij të raportuara para disa javësh dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, siç është mungesa e referimeve nga institucionet shtetërore apo mungesa e burimeve të mjaftueshme në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Pyetjes nëse ka SPAK indicie për pastrimin e parave nëpërmjet ndërtimeve apo fusha të tjera, Dumani iu përgjigj ‘po”, por shtoi se struktura e posaçme s’mund të bënte gjithçka, duke kërkuar zbatimin e ligjeve në fuqi edhe nga institucionet e tjera.
“SPAK është skaji fundor,” tha Dumani, duke shtuar se “hetimet për vitin 2023 tregojnë që ka qarkullim të madh të parasë cash”.
Duke konkretizuar me shembuj shqetësimin e tij, Dumani iu referua mungesës së raportimit të noterëve te Tatimet. “Ka një tipologji, zmadhimi i kapitalit fiktiv që bëjnë shoqëritë tregtare. Është rast tipik i pastrimit të parave. Një ndër rastet që kam patur ndërmend, kur kam thënë se duhet të rritet bashkëpunimet. Ia kam thënë drejtori të Tatimeve, duhet të fokusoheni këtu,” theksoi ai.
Po ashtu, ai përmendi faktin se pastrimi i parave në ndërtim apo nëpërmjet bankave ishte targetuar edhe nga organizatat ndërkombëtare kriminale, të tilla si mafia italiane e që përdorin si ndërmjetës kompanitë shqiptare.
Në lidhje me korrupsionin, Dumani konkludoi se “përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore”.
Dumani nuk iu përgjigj pyetjeve nëse po hetohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me aferën e inceneratorëve apo skema e mikrokredive – duke i konsideruar ato çështje në hetim.
Nga ana tjetër, kreu i SPAK u duk i bezdisur nga pyetjet me sfond politik që disa deputetë të opozitës i bënë, duke aluduar për “hetim politik” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, aktualisht në arrest shtëpie me akuza për korrupsion.
Deputeti Flamur Noka u shfaq në seancë me një T-shirt me mbishkrimin “Free Berisha” dhe i tha Dumanit se Berishën “po e mbani të burgosur politik pa akuzë”.
“Po ashtu edhe për Fatmir Mediun, proces kundër Ilir Metës, drejtues tjetër i një forcë opozitare. Ose po përdoreni politikisht për të luftuar opozitën, ose keni një mision të detyruar nga kreu i këtij regjimi,” iu drejtua ai Dumanit duke e pyetur “mos i kishte duart e lidhura”.
Kreu i SPAK i kundërshtoi aludimet.
“Unë jam prokuror dhe e lidh veten time eksluzivisht me të qënit prokuror, s’kam lidhje me politikën. Drejtësia nuk mund të sfidohet dhe nuk jam peng i askujt,” tha Dumani, ndërsa shtoi se “ka zero shanse që dikush ta ndikojë” në punën e tij.
Ndërsa komentit të deputetit Enkelejd Alibeajt se ka një perceptim publik se po goditet gjithkush përveç kryeministrit, kreu i SPAK u përgjigj se prokurorët nuk mund të plotësojnë “orekset mediatike”.
“Për ne pak rëndësi ka emri, por ka rëndësi prova,” tha ai.
Nga 10 rekomandimet e dhëna nga Kuvendi një vit më parë, relatori Pandeli Majko cilësoi pjesërisht të zbatuara shumicën prej tyre, ndërsa tërhoqi vëmendjen për mungesën e monitorimit të rekomandimit që lidhej me unifikimit të praktikave për masat e sigurimit.
Por Dumani tha se nuk kishte asnjë instrument që të mundej të ndërhynte për të zbatuar një rekomandim I tillë, pasi lidhej me pavarësinë e prokurorëve për të vlerësuar dhe vendosur sipas provave dhe masën e sigurimit për çdo të akuzuar.
Prokuroria e Posaçme u ngrit në vitin 2019 si institucioni më i rëndësishëm i reformës në drejtësi dhe Dumani është drejtuesi i dytë i saj.