![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/05/PHOTO-2024-05-25-18-56-14.jpg)
Sytë e tyre të ndezur nga gjoja dëshira për të ruajtur vlerat, anashkaluan sfondin me kullat dhjetërakatëshe të ngritura mbi taksat 0, harruan zyrtarët që po i arratisen burgut pasi vodhën miliona euro tendera, e na bëjnë karshillëk tashmë nga parajsa fiskale. Këta “tradicionalistë“ a thua kanë kaluar ndonjëherë nga aeroporti i Tiranës, ku rinia po derdhet lumë rrugëve të Europës në kërkim të shpresës së mohuar? Apo thua e heqin ata mendjen në ndonjë park të gjelbëruar imagjnar, pasi lëndinat e vogla me bar të Tiranës i përngjajnë më shumë kullotave të mbyllura ngushtë krahasuar me atë që bota konsideron park, dhe i vetmi gjelbërim që na rrethon është ngjyra e betonit jeshil?
A i kanë parë këta tradicionalistë, të moshuarit e Shqipërisë, të lënë në mëshirë të fatit me 150 euro pagesë mujore, pa ilaçe, pa një sistem social mbështetës që i bën ata ende pjesë të nderuar të shoqërisë shqiptare, pa i trajtuar si një arkë e kalbur perimesh të nxjerra pranë koshit të harresës.
Në vend që të shqetësohen se dy individë të së njëjtës gjini i shkruajnë njëri-tjetrit “të dua“, përse nuk shohin këta tradicionalistë të përbetuar në urrejtje, mesazhet e shefave të policive dhe deputetëve që marrin urdhra nga kriminelët? Përse nuk i djeg këtyre korrupsioni miliarda eurosh i politikanëve, që ndihmohen nga bandat për të vjedhur atë që në fakt është vlera më e madhe e shoqërisë: votën e lirë.
Përse nuk i shohin gjykatat e paralizuara që funksionojnë si bankomate, e jo si tempuj të së drejtës? Përse nuk shqetësohen që krimi ua ka bërë të pamundur blerjen e apartamenteve çifteve të reja, që po i lindin fëmijët në qoshe të mykura, me qira të kripura?
Ku janë këta moralistë, kur gratë vriten, mbyten, theren, përçmohen e izolohen në burgje pak metra katrorë që burrat e tyre i quajnë shtëpi? Ku janë ata kur gratë ngacmohen seksualisht në vendin e punës, kur përdhunohen, kur linçohen publikisht sa herë ndjekin zemrën sikur morali të ishte një certifikatë, monopolin e të cilit e kanë rrëmbyer disa njerëz që ua dëgjojmë ulërimën veç kur dy homoseksualë puthen?
Mos po përdoreni të dashur për të shpërqendruar vështrimin nga korrupsioni dhe aferat që i kanë vënë flakën Shqipërisë së zbrazur? Sa për politikanët që po ekstremizojnë një debat që shoqëria shqiptare duhet ta bëjë në bazën e empatisë dhe mirëkuptimit, ju them se: LGBTQ+ nuk janë as ari që mund ta vidhni, as çelësi që do t'ju shpëtojë nga prangat që po ju tund SPAK!
Ata thonë se komuniteti po indoktrinon fëmijët, një akuzë qesharake dhe e pabazë. Janë pikërisht këta tradicionalistë që po i izolojnë të rinjtë në vetvete, po i bëjnë të ndihen të padenjë për të jetuar një jetë siç kanë lindur, dhe po i heqin të drejtën e zgjedhjes, duke u përpjekin që të marrin ata një vendim për brezat e ardhshëm.
Po këta të rinj të guximshëm LGBTQ+ 20, 30, 40-vjeçarë që dalin sot rrugëve për të treguar se respekti për qenien njerëzore nuk duhet të fitohet, por duhet të jepet apriori, në çfarë figurash mendoni se e kanë mësuar homoseksualitetin?
Gaboheni kur mendoni se është “ngjitës“. Ne se kemi parë atë kurrkund, veçse jemi rritur duke ndjekur humoret tuaja seksiste, duke lexuar lajmet e blera nga politika, e duke dëgjuar status quonë arkaike të marrë qendrën në çdo mikrofon për të na treguar se si të rinjtë po e prishin këtë vend me guximin e tyre për të qenë të lirë. Nga ta kemi mësuar vallë nëse s'do të ishte në fakt një prirje e brendshme, më se normale?
Nëse jeni në mbrojtje të “tradicionales”, shkoni pyesni ata pak të rinj që po përpiqen ta ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri se cilat janë vlerat e Shqipërisë tradicionale që ata duan. Mbase do t'ju përgjigjen që janë taksat më miqësore me bizneset e reja, jo kërbaçi 15% i fitimeve të atyre që punojnë nga 16 orë, që të hanë me ndershmëri, ndërkohë që shohin nga ballkonet e shtëpive parada qindra mijëra euro makinash droge.
Pyesni pacientët e sëmurë rëndë, që nuk gjejnë ilaçe nëpër spitale, që u duhet të mbajnë 20-shet gati çdo herë që i afrohet një mjek, sikur të ishin në ndonjë autobus urban e po paguanin biletën.
Pse nuk ua dëgjojmë këtyre tradicionalistëve zërin e si shohim në rrugë kur shqiptarëve u vidhën të dhënat private për 30,000 lekë, përse jo kur komshiu spiunon komshiun nën brandimin e ri të përndjekjes moniste, të quajtur patronazhim?
Këta tradicionalistë, të cilët janë të paktë në numër, por të lartë në ulërima, duhet të shihen në pasqyrë, e të kuptojnë se po advokojnë për Shqipërinë toksike, jo atë tradicionale. Ata duhet të mendohen mirë, se mbase mund t'ia hedhin të tashmes, por historia do t'i gjykojë, e mund të përdhosen siç po ndodh nëpër botë me statujat e fshehura të atyre që e ngritën ekstremizmin mbi kurrizin e të padrejtës, dhe mbase s'do të ketë një Argjentinë për ta.
Ligjërojani këtë “tradicionalitet“ të rinjve tanë që i gjeni të ngrirë kamionëve për Angli, atyre që kanë lënë zyrat e mbytura në llum në atdhe, për të larë më mirë banjat e të huajve që të lënë rehat në punën tënde, që të japin një buzëqeshje, që nuk të hanë hakun, që s'të duan të keqen me çdo kusht.
Ku e gjen ky grusht i vogël ekstremistësh ulëritës guximin të pengojnë të drejtat themelore të cilësdo gjallesë tjetër? Kush ua ka dhënë atyre tagrin të pengojnë modernizimin e këtij vendi që aq shumë ka vuajtur nga përndjekja, paragjykimi, dhuna, urrejtja, keqbërja, nëpërkëmbja, korrupsioni?
Për fat të mirë, një grup gjithmonë e më i madh i shoqërisë sonë, brenda dhe jashtë vendit, tashmë i ka hapur sytë dhe ka parë qartë se vlerat qëndrojnë tek barazia, tek respekti, tek dinjiteti njerëzor, tek dashuria për veten dhe tek pranimi.
Ata nuk duan të kthehen tek prapambetja e gjyshërve tanë që urryen e shkelën me këmbë njëri-tjetrin nën ombrellën e superioritetit veri-jugu, burra-gra, katolikë-myslimanë, të bardhë-romë, me ne-kundër nesh dhe që me turp sot mbajnë mbyllur dosjet e errëta të komunizmit.
“Diversiteti është vlera jonë“, shkruhej në një pankartë të madhe në rrugët e Los Angeles, nga ku po e shkruaj këtë artikull. Në botën shumë të largët, ku dy burra martohen dhe marrin urime, ku dy gra lindin fëmijë dhe marrin mbështetje, ku njerëzit e zgjedhin vetë se cila është lëkura nën të cilën duan të jetojnë. Pa shkuar kaq larg, gjashtë vite më parë në Stokholm të Suedisë, një prift me papion shumëngjyrësh të LGBT bekoi (ndër të shumtët atë ditë) në martesë dy gra, të cilat media suedeze nuk i publikoi kurrë sepse perëndimi ka kuptuar në fakt se shtypja e dashurisë është një rrugë qorre.
Po aq qorre sa bataku ku fusim çdo gej, lesbike, biseksual apo transgjinor në Shqipëri kur i detyrojmë për sy e moral të martohen me gjininë e kundërt, sepse kështu e do shoqëria. Po ajo shoqëri në fakt që nuk i mbështet, nuk i siguron punë, nuk i mbron, ato zyra shteti që i sorollasin, ata politikanë që i gënjejnë, dhe ata familjarë që i kthejnë kurrizin.
Një këshillë e fundit për ata që i katalizon vetëm LGBTQ+ në Shqipëri, pranojeni komunitetin tonë siç pranoni korrupsionin dhe mund të flini rehat!
Por pyeteni veten, se cila vlerë qëndron tek përndjekja, tallja, dhuna, mbase do të kuptoni se nuk është tradicionalja ajo që po mbroni, por një urrejtje e zezë drejtuar të vetmit grup që shikoni si më të dobëtin e që mund ta trembni.
Lexoni këtë LAJM TË FUNDIT për ju: Këta njerëz shumëngjyrësh janë kudo rreth jush, të lumtur e krenarë, vazhdojnë jetën e tyre të denjë e me shumë vlera, punojnë dyfish fort për t'ia dalë dhe kanë triumfuar.
A jeni ulur ndonjëherë të dialogoni me ta? Provojeni se mbase zbuloni se janë ata që duartrokisni në ekrane televizive, ata tek të cilët luteni në ministri, ata që janë në karrige drejtuese kompanish e që punësojnë mijëra vetë. I gjeni në skena kombëtare e ndërkombëtare, si autorë librash, si mjekë, avokatë, psikologë, sportistë, si njerëz të thjeshtë.
Të gjithë atyre, sot u them: Në luftën për të mbrojtur dashurinë dhe zemrën, forca! Të pamposhtur! Të pamposhtur! Të pamposhtur!