Gjyqtarja e Gjykatës së Korçës, Sonjela Voskopi u përball të mërkurën më 28 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati tre orë, dha shpjegime për gjetjet dhe barrat e provës në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Voskopi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Sonjela Voskopi e ka filluar detyrën si gjyqtare në Korçë në vitin 2007, ku dhe vijon ta ushtrojë këtë funksion.
Problemet kryesore që u evidentuan në kriterin e pasurisë kishin të bënin me një apartament me sipërfaqe 104 m2 në Korçë, të porositur nga prindërit e subjektit në vitin 2012, me shoqërinë e administruar nga tezja e saj – pasuri që përdoret nga gjyqtarja Voskopi prej vitit 2015 ë ne vijim. Sipas marrëveshjes të nënshkruar nga babai i subjektit, apartamenti është dakordësuar për çmimin 3.5 milionë lekë, nga të cilat janë likuiduar 2.5 milionë lekë.
Komici deklaroi se subjekti ka sqaruar se këtë apartament e përdor prej vitit 2015 kur ka filluar bashkëjetesën me bashkëshortin. Megjithëse Voskopi është ndarë nga trungu familjar në vitin 2016, ajo ka deklaruar në pyetësor se jeton në këtë apartament.
Po ashtu, ka shpjeguar se për mobilimin e kryer në vitet 2015-2016 ka shpenzuar në total 2.7 milionë lekë, të mbuluara nga kursimet e saj dhe të bashkëjetuesit.
Babai i gjyqtares Voskopi e ka deklaruar këtë pasuri në deklaratën “veting” si të krijuar me kursime nga puna e tij dhe e bashkëshortes, si dhe nga dhurimet e përfituara prej kësaj të fundit nga prindërit e saj, prej të ardhurave nga shitja e pronave.
Relatori Komici vërejti se duket se apartamenti është dakordësuar për t’u blerë me vlerë rreth 1.8 milionë lekë se çmimi referencë, sipas Entit Kombëtar të Banesave, EKB. Ai shtoi se nga verifikimi kontratave të furnizimit me ujë, ka rezultuar se lidhur në vitin 2014 nga shoqëria ndërtuese, por është mbajtur një procesverbal me emrin e subjektit.
Bazuar në faktet se për apartamentin nuk është shlyer ende diferenca 1 milion lekë; se çmimi është ndjeshëm më i ulët nga ai i referencës; se kjo pasuri është përdorur prej vitit 2015 nga subjekti, gjë që provohet dhe nga kontrata e furnizimit me ujë e lidhur në emër të saj, KPK i ka kaluar gjyqtares Voskopi barrë prove që të vërtetojë në mënyrë bindëse të kundërtën e tyre. Konkretisht, i është kërkuar të shpjegojë bindshëm se përse nuk është kryer ende pagesa e detyrimit të mbetur; që të justifikojë diferencën e çmimit të dakordësuar me atë të referencës; të provojë çmimin real të apartamentit duke depozituar kontrata të ngjashme të porosisë dhe shitjes së apartamenteve nga shoqëria ndërtuese; se dhe që të provojë tej çdo dyshimi të arsyeshëm se nuk ndodhet në kushtet e nenit D, pika 5 e Aneksit të Kushtetutës, atë të fshehjes së pasurisë.
Po ashtu, nga analiza financiare e kryer për mundësitë e prindërve të subjektit, ka rezultuar pamundësi në shumën 955 mijë lekë për të krijuar kursimet e tyre gjatë periudhës 1993- 2006, që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit. Lidhur me një shumë prej 1.5 milion lekësh të tërhequr nga bankat në vitin 2009, të mbajtur cash në shtëpi, Komisioni ngre dyshime se mund të mos jetë pjesë përbërëse e vlerës 3 milionë lekë që ata kanë depozituar në vitin 2011, të përdorur më vonë për pagesën e dy kësteve të apartamentit.
KPK konstaton pamundësi në shumën 533 mijë lekë dhe për krijimin e kursimeve nga subjekti dhe bashkëjetuesi në vitin 2015, që ka shërbyer për mobilimin e apartamentit. Për kursimet e tjera të deklaruara si burim për këtë lloj shpenzimi ka rezultuar bilanc pozitiv.
Në analizën financiare paraprake e përgjithshme, Komisioni konstaton bilanc negativ në shumën rreth 1 milion lekë për periudhën para fillimit të detyrës dhe gjatë ushtrimit të funksionit të gjyqtares në masën 544 mijë lekë.
Subjekti shpjegoi në seancë se pasuria ishte blerë nga prindërit për t’ia lënë vëllait kur të krijonte familjen e tij. Ajo deklaroi se nisur nga fakti se kishte filluar bashkëjetesën në vitin 2015, kur vëllai ishte ende beqar apartamentin ia kishin lënë asaj në përdorim. Lidhur me çmimin më të ulët nga ai i referencës, subjekti shpjegoi se administratorja e shoqërisë ndërtuese, është tezja e saj. Po ashtu, ajo shtoi se një pjesë e mirë e sipërfaqes së përgjithshme të apartamentit ishte verandë, që kishte çmimin dy herë më të ulët se pjesa tjetër e ndërtimit, si dhe se duhej investim deri në 800 mijë lekë që të bëhej funksionale. Për këtë arsye, ajo nënvizoi se diferenca mes çmimit të referencës, nëse llogaritej gjysma e vlerës për verandën, atëherë diferenca ngushtohej. Voskopi shtoi se kishte dorëzuar dhe dy kontrata të tjera shitblerje ku rezultonte se çmimi i blerë nga klientë të rastësishëm të shoqërisë, ishte më i ulët nga ai i referencës.
Sipas subjektit, vlera 1 milion lekë nuk ishte shlyer ende pasi babai dhe më vonë vëllai kishin punuar për shoqërinë. Sipas saj, vëllai punon si inxhinier ndërtimi dhe ka filluar me një pagë afër minimales, ndërkohë që ka pasur dhe mundësi të gjente punë të paguara më mirë, por nuk është larguar dhe për shkak se nuk u është kërkuar të shlyejnë vlerën e mbetur 1 milion lekë.
Voskopi theksoi se përdorimin e kësaj pasurie e kishte deklaruar që në momentin e parë, ndërkohë që edhe prindërit në cilësinë e zotëruesve, kishin bërë deklarimin e burimeve të krijimit.
Ajo kundërshtoi edhe analizën financiare të Komisionit si për apartamentin, ashtu dhe atë të përgjithshme. Subjekti vërejti se Komisioni gabon lidhur me kohën e krijimit të kursimeve, pasi sipas saj janë akumuluar deri në fund të vitit 2008 dhe jo deri në 2006-ën kur është përllogaritur në analizë. Sipas Voskopit, mundësia e kursimit për këto dy vite e mbulon bilancin negativ të konstatuar për apartamentin.
Subjekti kërkoi që të rishikohet analiza financiare e vitit 1992 dhe të konsiderohet mundësi fitimi neto nga veprimtaritë private të prindërve në masën 500 mijë lekë. Po ashtu, këmbënguli se kishin pasur mundësi financiare dhe për mobilimin.
Sipas gjyqtares Voskopi, nëse rishikohet analiza financiare sipas pretendimeve të saj, bilanci negativ mbetet në masën rreth 252 mijë lekë, që këkroi të vlerësohet bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit e të mos konsiderohet si penalizues.
Megjithatë, relatori Komici dhe vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs kërkuan shpjegime më bindëse. “Duke dëgjuar shpjegimet e tua u bë më e vështirë për mua që të lidh prindërit tuaj me atë apartament”, vërejti Jacobs dhe shtoi se mbeten një listë gjërash alogjike që nuk lidhen.
Jacobs cilësoi si problem të parë pamundësinë financiare të prindërve. Ai shtoi se prindërit nuk kanë pasur arsye për ta porositur atë apartament, ndërkohë që jetojnë ende tek i mëparshmi, që ka dhe sipërfaqe më të vogël. Po ashtu, ai cilësoi si alogjik dhe të çuditshëm faktin se nuk është shlyer ende detyrimi i mbetur që pamundëson regjistrimin e pasurisë në emër të prindërve, duke u justifikuar me faktin se vëllai punon si inxhinier për shoqërinë. “Jam i sigurtë se nuk po tregoni gjithçka në këtë histori. Duhet të jeni diçka tjetër që të jeni e besueshme”, tha Jacobs ndër të tjera.
Gjyqtarja Voskopi u qëndroi shpjegimeve të saj, duke dhënë detaje të tjera. Ajo këmbënguli se nëse përllogaritja e burimeve financiare do të kryhej sipas këndvështrimit të saj, atëherë bilanci do të rezultonte pozitiv.
Ajo ritheksoi se apartamenti ishte blerë për të vëllamë, që kur të krijonte familjen e tij, të transferohej aty. Por, për shkak se ishte ende beqar dhe ajo kishte filluar më parë bashkëjetesën, e kishte përdorur ajo.
Sipas subjektit, vëllai u martua në vitin 2016, por për shkak se babai ishte operuar nga zemra një vit më parë, ishte dakordëzuar me bashkëshorten e tij që të jetonin së bashku tek apartamenti vjetër, me qëllim që të mund t’i qëndronin pranë të atit, i cili kishte nevojë. Ajo tha se vëllai ishte shtuar me një fëmijë dhe ndihma që i jepte nëna ishte e nevojshme dhe për rrjedhojë kishin vijuar të jetonin atje.
Voskopi deklaroi se apartamenti i vjetër i prindërve ka hapësirë funksionale më të madhe se ai që ajo ka në përdorim. Ajo shtoi se familja e vëllait ishte shtuar dhe më dy fëmijë të tjerë binjakë e për rrjedhojë kishin nevojë ndihmën e nënës. Ndërkohë që sqaroi se ajo kishte pasur vështirësi për sjelljen në jetë të fëmijës së saj dhe në këto kushte i vëllai nuk mund t’i kërkonte të transferohej. Subjekti shpjegoi se më vonë babai ishte sëmurur rëndë dhe ishte operuar e për rrjedhojë askush nuk kishte pasur në mendje të diskutonte lidhur me dispononim e apartamentit.
Jacobs këmbënguli lidhur me mospagesën e detyrimit 1 milion lekë dhe Voskopi u përgjigj duke këmbëngulur se vëllai, nisur nga fakti se kishte punuar me pagë disi të ulët dhe ortakët e shoqërisë ishin të kënaqur prej punës së tij, e konsideronte këtë shumë të pashlyer si një bonus. Sipas subjektit, vëllai priste që t’i dhurohej një pjesë e kësaj vlere.
Lidhur me çmimin e ulët të blerjes së apartamentit, subjekti ritheksoi se edhe blerësit rastësor e kishin përfituar me vlerë më të ulët nga çmimi i referencës. Sipas saj, në atë periudhë kishte qenë e vështirë për t’u shitur apartamentet dhe shoqëria kishte operuar me çmime të tilla. Subjekti këmbënguli në seancë se përdorimin e apartamentit e kishte deklaruar gjithmonë, ndërkohë që dhe prindërit kishin deklaruar burimet e për rrjedhojë nuk mund të kishte dyshime për pronësinë e kësaj pasurie.
Figura dhe profesionalizmi
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka dërguar fillimisht raport pozitiv për gjyqtaren Voskopi. Edhe në raportin e dytë të përditësuar, AKSIK ka vërejtur se për subjektin nuk disponohen të dhëna dhe nuk ka sinjalizime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme. Por, është parashtruar se të dhënat e përcjella nga autoritetet verifikuese flasin vetëm për bashkëjetuesin e saj, duke ngritur dyshime se në cilësinë e avokatit mund të ketë ushtruar ndikim të paligjshëm me qëllim favorizimin e të pandehurve.
Komici tha se këto të dhëna nuk janë deklasifikuar, ndërkohë që subjektit i janë kërkuar shpjegime.
Gjyqtarja Voskopi deklaroi se ishte e bindur se bashkëshorti nuk do të bënte shkelje etike, e jo më një vepër penale. Ajo solli në vëmendje faktin se SPAK kishte konfirmuar se ndaj tij nuk kishte pasur ndonjë hetim. “Nuk i di informacionet konkrete e nuk flas dot kot”, tha subjekti dhe shtoi se e vetmja gjë që i shkonte në mendje lidhur me ato informacione, ishte se mund të kishin të bënin me konkurrencën.
Komisioni konstaton gjykimin e dy çështjeve nga subjekti në kushtet e konfliktit të interesit në dukje, pasi palë ndërgjyqëse ka qenë dhe zyra e Avokatit të Shtetit në Korçë, që drejtohej në atë kohë prej bashkëshortit. Sipas Voskopit, ajo ka qenë gjithmonë e kujdesshme dhe në rastet kur çështja i ndahej me short, atëherë zyra e Avokatit të Shtetit përfaqësohej nga një avokat tjetër dhe jo prej bashkëshortit. Ajo shtoi se në rastet kur i është kaluar çështje gjykimi të cilës kishte filluar nga tjetër gjyqtar dhe si palë gjyqësor ishte paraqitur bashkëshorti, atëherë kishte dhënë dorëheqjen.
Për konstatimin e tejkalimit të afatit katër mujor të gjykimit të dy ,çështjeve, subjekti u shpreh se vonesat në ato çështje kanë qenë për shkak se janë shortuar më parë tek gjyqtarë të tjerë, ose si pasojë e lejes vjetore.
Për dorëzimin jashtë afatit të një vendimi të arsyetuar, subjekti shpjegoi se aty kishte të dhëna për caktimin e një mase sigurie të paekzekutuar dhe nuk e kishte dorëzuar për arsye të ruajtjes së sekretit hetimor. Voskopi deklaroi se në momentin që i hetuari ishte ndaluar, ajo e kishte dorëzuar vendimin e arsyetuar.
Në përfundim, gjyqtarja Sonjela Voskopi pretendoi se kishte vërtetuar se arrin nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 31 maj, në orën 09:30.