Pasditen e 25 majit, anëtarë të komunitetit LGBTI, qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile marshuan nën shiun e dendur në kryeqytet në paradën e përvitshme të krenarisë, e cila nisi prej pedonales së Tiranës dhe vijoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Por parada në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti u shoqërua me dezinformim, gjuhë urrejtje dhe qindra komente fyese në hapësirën digjitale.
Dy ditë pas paradës, një foto e manipuluar me një mesazh të rremë që shënjestronte dhe denigronte komunitetin LGBTI qarkulloi në një prej mediave online në Shqipëri, teksa qindra komente me gjuhë urrejtje pasuan në fotografinë e manipuluar që pasqyronte marshimin e aktivistëve.
Xheni Karaj, drejtuese e Aleanca LGBTI dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, deklaroi se dezinformime dhe manipulime të tilla shërbejnë si katalizatorë për nxitjen e urrejtjes ndaj këtij komuniteti.
“Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit Tirana Pride u shoqërua nga një fushatë manipulimi dhe dizinformimi që nisi fillimisht në rrjete sociale nga të ashtuquajturit anëtarë të koalicionit për mbrojtjen e familjes tradicionale dhe më pas u pasqyrua në mediat kryesore në vend,” i tha BIRN Xheni Karaj.
Aktivistët dhe anëtarët e komunitetit LGBT hasen vazhdimisht me sulme, qoftë kjo gjuhë urrejtje, komente homofobike me terma ofendues, apo kërcënime për jetën. Edhe pse parada Pride është kthyer tashmë në një traditë shumëvjeçare, sivjet ajo u shoqërua edhe me një sulm fizik ndaj aktivistëve që marshonin për të festuar lirinë e tyre.
“Për herë të parë pas shumë vitesh patëm një sulm gjatë marshimit të krenarisë. Dhe pse me prezencë të shumtë të policisë, një djalë 16 vjecar u afrua me biçikletë dhe goditi me gurë një nga pjesëmarrëset,” tha Karaj.
Sipas Karajt, këto akte janë pasojë e gjuhës së urrejtjes të përdorur së fundmi nga disa përfaqësues fetarë, figura publike, gazetarë dhe politikanë gjatë shfaqjeve të tyre në televizion. Episodi i sulmit fizik gjatë paradës nuk është një rast i izoluar, pasi vetë Karaj u sulmua me gurë nga disa adoleshentë në rrugët e Tiranës, një ditë përpara paradës Pride.
Dezinformimi i përhapur nga mediat lidhur me çështjet e komunitetit LGBTI ka patur, sipas Karajt ndikim të gjerë në përhapjen e urrejtjes ndaj këtij grupi të margjinalizuar.
“Në rastin e Jeta Osht Qejf ne bëmë një fushatë raportimesh online në lidhje me manipulimin që kjo media i bëri banerit kryesor të Paradës,” shtoi më tej Karaj për BIRN.
Pavarësisht presionit dhe sulmeve, aktivistët dhe anëtarët e këtij komuniteti tregohen të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre të lirisë dhe të të jetuarit në paqe.
“Ne nuk frikësohemi, do ta sfidojmë këtë narrativë të urrejtjes dhe nuk do të lejojmë që të mbizotërojë manipulimi dhe dezinformimi”, tha Karaj.
“Do të vazhdojmë të luftojmë për dinjitet dhe nuk do të lejojmë kurrë që të quhemi kërcënim, kur jemi pjesë e familjeve të kujtdo,” përfundoi ajo.