Gjykata e Tiranës caktoi të dielën masë sigurimi detyrim paraqitje ndaj gazetarit Ervis Hasanaga, i cili po hetohet për akuzën e “falsifikimit kompjuterik”, sëbashku me oficeren e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore Rexhina Omeri.
Prokurori Arben Agovi tha se hetimet për rastit do të vazhdonin dhe se ai kishte kërkuar masën e sigurimit “detyrim paraqitje”, duke pasur parasysh qëndrimin e të arrestuarve dhe situatën e tyre familjare. Agovi tha se gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestin.
Por avokati Ylli Kameri, që përfaqësonte në seancë Hasanagën, tha se në rastin e tij nuk kishte vepër penale dhe se arrestimi ishte i paligjshëm. Kameri i tha BIRN se gazetari nuk ishte arrestuar në flagrancë siç ka njoftuar policia, por ishte paraqitur vetë në polici pasi ishte thirrur për të sqaruar.
Ai tha se Hasanaga nuk kishte bërë falsifikim të asnjëlloji, por kishte publikuar një lajm që më pas kishte rezultuar i rremë. “Kur është njoftuar nga një person (i njohur i kallëzuesit) se lajmi ishte i rremë, redaktori e ka fshirë lajmin”, tha Kameri. Ai shtoi se gazetari nuk e kishte shkruar vetë lajmin, por kishte qenë në cilësinë e redaktorit apo publikuesit. Po ashtu sipas avokatit ngjarja nuk ka sjellë pasoja.
Avokati tha se çështja ishte civile apo administrative, por jo penale. “Publikimi i një lajmi të rremë nuk mund të jetë në asnjë rast falsifikim kompjuterik”, tha Kamberi. Avokati tha se ndjekja penale në këtë rast cënonte “lirinë e shprehjes dhe fjalën e lirë me të mirat dhe problematikat që vijnë prej saj”.
Megjithatë gjyqtari Ardit Mustafaj ka marrë parasysh kërkesën e prokurorisë, duke arsyetuar se kjo kishte të drejtën për të hetuar. Kamberi tha se ai i do të kërkonte apelimin e çështjes.
Gazetari Ervis Hasanaga u arrestua më 30 Maj, bashkë me oficeren e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rexhina Omeri, ndërsa Kushtrim Selimi – shef sektori pranë AMP-së, u shpall në kërkim. Ata po hetohen për akuzën e “falsifikimit kompjuterik”, por të dhënat nga dosja tregojnë se gazetari Hasanaga ka bërë vetëm publikimin e një informacioni jo të saktë, të cilin më pas e ka fshirë. Kallëzuesi pretendon që lajmi i ka cënuar karrierën.
Organizatat për mbrojtjen e gazetarëve e kanë cilësuar të ekzagjeruar arrestimin, ndërsa kanë ngritur shqetësimin se policia po përdorte masa ekstreme për çështje që zgjidhen nga kodi i etikës apo ligji civil.
Blerjana Bino nga Safe Journalist tha se rasti mund të ketë “chilling effect” dhe mund të sjellë vetë-censurim të gazetarëve. “Në rastin e Hasanagës, shqetësimi ynë është për precedentin që krijohet për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias duke e zëvendësuar kundravajtjen penale, pra shpifjen e dënueshme me gjobë, me falsifikimin kompjuterik, që është vepër penale dhe ka dënim me burg”, tha Bino.
Ajo tha se arrestimi i një gazetari duhet të jetë një masë e fundit, “e përdorur vetëm kur ka një shkelje serioze të ligjit dhe kur mjetet e tjera për të siguruar përgjegjësinë janë shteruar”.