Prokuroria e Tiranës njoftoi të hënën më 3 qershor se ka kërkuar caktim të masave të sigurimit personal ndaj katër punonjësve të “Fondit Besa” dhe një notereje, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar 11 qytetarë, duke marrë kredi në emër të tyre pa i vendosur në dijeni, si dhe për përvetësim të parave. Procedimi ndaj tyre është regjistruar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, njëri prej të akuzuarve ka shtyrë personat e dëmtuar që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar vlerat monetare të marra përmes kredive. Gjithashtu, përmes gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, i njëjti person ka përdorur dokumentet e identifikimit të personave të dëmtuar për të plotësuar dosjet e kredisë.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L.V., ka bashkëpunuar me dy oficerë kredie pranë Fondit Besa si dhe përgjegjësen e këtyre të fundit. Sipas prokurorisë, personat e dëmtuar nuk janë paraqitur ndonjëherë në zyrat e institucionit financiar Fondi Besa sh.a; nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument për marrjen e kredive; nuk kanë nënshkruar kontratat noteriale për marrjen e kredive; si dhe nuk kanë pasur dijeni në lidhje me ekzistencën e kredive në emër të tyre.
“Punonjësit e institucionit financiar Fondi Besa sh.a kanë qënë plotësisht në dijeni të faktit se personat e dëmtuar nuk janë paraqitur në zyrat e tyre, për të aplikuar për kredi dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kredisë, por kanë plotësuar dosjen e aplikuesve me dokumente me përmbajtje të falsifikuar”, vëren prokuroria, duke theksuar se katër punonjësit e Fondit Besa sh.a. kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda dhe në bashkëpunim.
Po kështu, sipas hetuesve ekzistojnë prova të mjaftueshme se një notere me inicialet M.D dyshohet të ketë kryer veprën e “falsifikimit të dokumenteve” në 11 raste.
Bazuar në rezultatet e këtij hetimi, prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës respektive caktimin e masës “arrest në burg” ndaj shtetasit V.L dhe “arrest shtëpie” për tre punonjësit e tjerë të Fondit Besa, si dhe për noteren. Ndaj kësaj të fundit është kërkuar edhe masa ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.