Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku njoftoi të premten më 7 qershor rezultatet e një operacioni për ekzekutimin e urdhër-ndalimit të 31 personave, të akuzuar si anëtarë të një grupi kriminal që jepte ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit të emigrantëve të parregullt, kryesisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës.
“Nga veprimet operative, gjurmuese dhe hetimore rezulton se subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke,” tha Rrumbullaku dhe shtoi se këto dokumente të falsifikuara përdoreshin në një shkallë të gjerë për mundësimin e kalimit të paligjshëm të kufijve.
Në njoftim thuhet se hetimi është kyer nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me homologët spanjollë për rreth dy vjet, prej nga ka rezultuar se udhëtimet realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante.
“Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës ‘Schengen'. Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale,” citohet në njoftim.
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 31 shtetas, për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.
Sipas Rrumbullakut, është bërë e mundur që të ndalohen 26 nga 31 personat e hetuar, një është në kërkim brenda vendit dhe katër janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mes të arrestuarve është dhe një punonjës policie i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Për gjashtë persona të tjerë të dyshuar është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, ndërkohë që gjatë hetimit të kësaj çështjeje janë ndaluar dhe pesë të tjerë. Nga ana tjetër, sqarohet autoritetet ligjzbatuese spanjolle kanë arrestuar 35 persona, si pjesë e këtij grupi.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh; shtatë automjete; një laborator për falsifikimin e dokumenteve; 25 mijë euro; 20 mijë paund; 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja; një armë gjahu; 10 laptopë; 15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN; lëndë narkotike; 47 aparate celulare; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme.