![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/06/Ministria-e-Arsimit-Rinise-dhe-Sporteve.-Foto_Nensi-Bogdani.jpg)
Të hënën paradite, gjatë provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në maturën shtetërore, ka rrjedhur sërish teza e provimit në rrjetet sociale.
Tezat e provimit janë publikuar të paplotësuara në variantet A dhe B, në llogarinë e Instagramit të “Studentët Denoncojnë”.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve (MAS) ka reaguar duke siguruar studentët dhe familjarët e tyre se këto veprime nuk ndikojnë në proces.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron opinionin publik, maturantët, prindërit e tyre dhe mësuesit tanë të përkushtuar, se akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces”, shkruhet në reagimin e MAS.
“Kjo nuk zhvlerëson punën dhe mundin e mijëra mësuesve e punonjësve arsimorë, që janë angazhuar prej muajsh që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë nxënësit”, citojnë përfaqësuesit e ministrisë.
Ky rast nuk mbetet një episode i izoluar, pasi vetëm një javë më parë rrodhi edhe teza e testimit të Gjuhës Angleze, të maturës së këtij viti.