![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2024/06/Blair-Kosovo-parliament-address-1536x1023-1.jpg)
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, u prit ngrohtë të hënën në Prishtinë, ndërsa Kosova festoi 25-vjetorin e çlirimit të saj. Si kryeministër i Britanisë, Blair ishte një nga mbështetësit më të zëshëm të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Të hënën, ai takoi presidenten Vjosa Osmani dhe shkoi në parlament për t’iu drejtuar deputetëve në një seancë të posaçme të planifikuar për mbërritjen e tij.
“Më 10 qershorin e para 25 vjetëve u arrit marrëveshja për tërheqjen të plotë dhe pa kushte të forcave pushtuese nga territori i Kosovës. Kosova ishte më në fund e lirë, njerëzit e saj kishin mundësinë të jetonin përsëri, të shpresonin përsëri, të besonin përsëri në një të ardhme pa shtypje dhe pa padrejtësi”, u tha Blair deputetëve, duke iu referuar marrëveshjes së Kumanovës që i dha fund sulmit ajrot të NATO-s ndaj Serbisë dhe çoi në tërheqjen e forcace serbe nga Kosova në qershor 1999.
Blair kujtoi negociatat e tensionuara politike në vitin 1999 dhe vizitat e tij në kampet e refugjatëve të Kosovës pranë Shkupit, në Maqedoni. “Takimi i refugjatëve të Kosovës në kampet afër Shkupit, dëgjimi i historive të tyre mallëngjyese të shpërnguljes dhe mizorive, fytyrat e tyre të dëshpëruara për ndihmë, duke kërkuar në fytyrën time njëfarë kuptimi nëse do t’i ndihmoja apo nëse mund t’i ndihmoja. Ne ndihmuam dhe nuk u pendova kurrë për këtë”, shtoi ai.
Krerë të ndryshëm shtetërorë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ish-kryeministrin italian Massimo D’Alema, vizituan gjithashtu Kosovën të hënën, duke takuar liderë dhe duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme për përvjetorin e çlirimit.
Glauk Konjufca, kryetari i parlamentit të Kosovës, e vlerësoi Tony Blair dhe liderët e tjerë perëndimorë për angazhimin e tyre gjatë krizës së vitit 1999. “Mobilizimi dhe angazhimi i aleancës më demokratike në botë, NATO-s, ndaloi gjenocidin në vendin tonë dhe lejoi lirinë e njerëzve”, tha Konjufca.
Aleanca perëndimore filloi 78 ditë sulme ajrore në mars 1999 për të detyruar presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, e cila përfshinte spastrim të gjerë etnik. Rreth 1 milion shqiptarë të Kosovës u larguan gjatë kësaj kohe kryesisht në Shqipërinë dhe Maqedoninë fqinje.
Qeveria serbe vlerëson se të paktën 2,500 njerëz vdiqën dhe 12,500 u plagosën gjatë fushatës së NATO-s, megjithëse numri i saktë i vdekjeve mbetet i paqartë. Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare thonë se 756 njerëz vdiqën gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.
Sulmet ajrore, të nisura pa mbështetjen e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të justifikuara nga NATO-ja si një ndërhyrje humanitare, përfunduan më 10 qershor 1999 pasi Millosheviçi pranoi të tërhiqte forcat nga Kosova.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe që atëherë është njohur nga rreth 115 shtete, ndërsa Serbia ka refuzuar ta njohë atë.