![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gjykata-Cekici.jpg)
Gjykata e Apelit njoftoi të enjten më 13 qershor lënien në fuqi të dënimit të ish-punonjëses së Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj për veprën penale të mashtrimit.
Deraj u procedua vitin e kaluar nga Prokuroria e Tiranës, pasi kishte përfituar 340 mijë euro nga një person, duke i marrë përsipër zgjidhjen e një çështjeje gjyqësore. Po ashtu, nëpërmjet mashtrimit i ka marrë një shoqes së saj shumën 250 mijë euro, duke i premtuar se do t'i investonte në bono thesari.
Më 30 prill 2023, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e deklaroi fajtore Derajn për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda, si dhe e dënoi me 7 vjet e 6 muaj burgim, që në aplikim të gjykimin të shkurtuar u reduktua m 1/3-ën e masës, duke e dënuar përfundimisht me 5 vjet heqje lirie.
Deraj e ka ankimuar vendimarrjen e shkallës së parë duke kërkuar pafajësi, ose nëse do të gjendej dhe në Apel fajtore, atëherë të dënohej me 3 vjet e 4 muaj burgim dhe të pezullohet kjo masë duke u vendosur në provë.
Pas shqyrtimit të ankimit, trupi gjykues i Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me relator gjyqtarin Fatri Islamaj dhe anëtare gjyqtaret Edlira Petri dhe Marsela Pepi, vendosi të enjten të lërë në fuqi dënimin e dhënë në shkallën e parë ndaj të pandehurës Milena Deraj.